Pse të lakmojmë Ronaldot e botës kur kemi “Ronaldot” tanë simpatikë, seksi dhe (disa) ende single

Sa gola bënë, në cilën skuadër shkuan apo çfarë pozicioni kanë në fushë ka qenë çështje shumë e rëndësishme kryesisht për adhuruesit e futbollit deri andej nga fundi i viteve ’90, kur futbollistët ishin futbollistë. Tani që janë hedhur me të dyja këmbët në ‘star sistem’ dhe showbiz, dimë më pak për ato më lart e më shumë se kë kanë të dashur, me kë u martuan, sa miliona e bënë shtëpinë, imazh i cilës kompani janë.

Futbollistëve ju kushtohen shkrime të tëra në revista skandalesh e faqesh rozë, i njeh gjithë bota, ajo femërore edhe më shumë. Sidomos kjo “bota” e fundit prodhon lumë klikimesh nëpër profilet e futbollistëve. Ne e dimë që mbase për ata më të njohurit nuk kemi më se ç’të zbulojmë. Por kemi vendosur sot t’u hedhim një sy futbollistëve shqiptarë, atyre të rinjve, që luajnë jashtë e brenda, që bëjnë jetë tipike futbollistësh dhe hyjnë e dalin përveçse në merkatot sportive edhe nëpër tregun e beqarëve.

Jurgen Gjasula është 35 vjeç dhe ka lindur në Tiranë, por jetën e ka ndërtuar në Gjermani prej kohësh. Aktualisht është aktiv me FC Magdeburg, por ka luajtur edhe me kombëtaren shqiptare. Ka pafund foto pranë detit duke nisur nga Mykonos deri Miami Beach Florida. Nga kërkimet tona nuk është i lidhur, ose di ta fshehë shumë mirë të dashurën.

Liridon Krasniqi është 29 vjeç dhe luan me ekipin e Maylazisë, Johor Darul Ta’zim. Ka origjinë nga Kosova dhe me ‘Instagramin’ ecën mirë. Thuhet se është në një lidhje me shoqen e Kim Kardashian, Larsa Pippen, por vetë Liridon e ka mohuar këtë lajm në ‘Shiko kush luan’ ku ra në sy për sportivitetin dhe disa skena sensuale gjatë lojrave. Është një nga futbollistët më ‘stylish’ në qarkullim dhe kjo bie në sy lehtë nga fotot që ka në profilin e tij.

Frederik Veseli është 28 vjeç, ka lindur në Zvicër dhe luan me ekipin U.S. Salernitana 1919 dhe Kombëtaren Shqiptare. Nuk ka bërë publike ndonjë nga lidhjet e tij.

Eros Grezda është 25 vjeç, me origjinë nga Gjakova dhe luan me ekipin NK Osijek, gjithashtu me Kombëtaren. Ka prej kohësh një lidhje romantike me modelen Oriola Marashi, por vetëm së fundmi e kanë pranuar publikisht. Bën jetën tipike të një futbolllisti me udhëtime ekzotike dhe stërvitje.

Kemal Ademi, 24 vjeç, jeton në Gjermani dhe luan me ekipin Fenerbahçe S.K. Është goxha diskret ndaj për të nuk dihet më shumë sesa sukseset në futboll.

Bekim Balaj me siguri nuk është emër aq i panjohur për ju. Ka vite që luan për kombëtaren, por edhe për SK Sturm Graz. Është 30 vjeç dhe goxha i përfolur për lidhjet e tij me vajza të bukura, por aktualisht nuk ka gjë të konfirmuar në këtë aspekt. Së fundmi ka udhëtuar drejt Dubait nga ku ka postuar disa foto shumë seksi, por se nga kush u shoqërua ende nuk e dimë.

Me siguri ka edhe shumë emra të tjerë në qarkullim, por po jua lëmë juve të na i nisni, këta janë vetëm një ngacmim i vogël ‘për të parë më shumë futboll’./revistawho.com