Pjesë e grupit që merrej me trafik droge, u denoncua për rrëmbim dhe keqtrajtim të ish-të dashurës/ Zbulohet e shkuara e 29-vjeçarit që u vra te “Vasil Shanto”

Jurgen Duka u qëllua me armë zjarri në orën 00:20, një orë e 20 minuta pasi kishte filluar ora policore e vendosur për shkak të pandemisë.

Policia nxitoi të rendiste precedentët penalë të viktimës, që në fakt nuk zhbëjnë aspak atë që ndodhi, por deri diku tregojnë sërish një lloj neglizhence në zbatimin e orarit të mbylljes.

Duka, duke qenë se rezultonte person me precedentë penalë, nuk do ta ketë pasur të lehtë të kërkojë e të marrë “leje dalje”, në portalin “e-Albania”.

Megjithatë, ai ndodhej jashtë shtëpisë, jashtë orës policore, madje sipas Policisë, edhe nën efektin e alkoolit, që do të thotë se ka qenë në ndonjë lokal duke pirë.

Një zinxhir rrethanash që sollën një tjetër ngjarje të rëndë gjatë orës policore, që në kushtet e zbatimit normal të rregullave kjo ngjarje mund të shmangej.

Të paktën për aq kohë sa motivi, nisur edhe nga pamjet e kamerave të sigurisë, duket se ka qenë krejt banal dhe i çastit.

VIKTIMA

Nga verifikimet e kryera rezulton se viktima, Jurgen Duka, që njihej edhe me mbiemrin Mëziri, është person me precedentë të mëparshëm penalë. Hera e fundit që ai ka rënë në prangat e Policisë ishte vitin e kaluar, në kuadër të një operacioni antidrogë mes Shqipërisë dhe Italisë, ku u prangosën edhe 15 persona të tjerë.

Duka u ekstradua në Itali për t’u gjykuar, si pjesë e një grupi që merrej me trafikimin e drogës, por atje fitoi lirinë dhe u rikthye në Shqipëri. Operacioni “Riviera”, që u finalizua korrikun e vitit të kaluar, u iniciua nga Prokuroria Rajonale Antimafia në Bolonjë, në bashkëpunim me Grupin e Operacioneve Speciale (ROS) të Karabinierisë në Bolonjë. Grupi kriminal i trafikut përbëhej nga shqiptarë dhe italianë.

Operacioni në Itali u zhvillua në Marche, Emilia Romagna, Lombardi dhe Liguri. Por përveç këtij rasti, viktima kishte pasur edhe precedentë të mëparshëm kriminalë. Sipas Policisë, nga viti 2013 deri në vitin 2020, 29-vjeçari ishte vënë në pranga dhe dënuar për krime të ndryshme.

Në vitin 2013 është proceduar për veprën penale “Mashtrim” dhe në vitin 2014 është proceduar për “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”. Në vitin 2016 Jurgen Duka është dënuar me 8 muaj burg për veprat penale “Falsifikimi i monedhave”. Në vitin 2017 është dënuar me 4 muaj burg për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Përndjekja”. Në vitin 2015 ai u denoncua nga nëna e ish-të dashurës se i kishte rrëmbyer dhe keqtrajtuar të bijën.

Në atë kohë Jurgen Duka mbante mbiemrin Mëziri dhe ishte 23 vjeç. Dy të rinjtë kishin pasur një lidhje dashurie me njëri-tjetrin, por Jurgen Mëziri mësohet se e keqtrajtonte 22-vjeçaren E. Sh. dhe ky thuhej se kishte qenë shkaku i ndarjes së tyre. Burime nga Policia e Tiranës tregonin në atë kohë se vajza me banim në kryeqytet ka qenë e ulur në një lokal në momentin kur djali e ka marrë me forcë.

Ai ka përfituar nga rasti që në momentin e daljes nga lokali ajo ka qenë vetëm, duke e rrëmbyer dhe duke e futur në makinën e tij. Ai e ka mbajtur më shumë se 24 orë ish-të dashurën larg nga familja e saj.

ETLEVA DELIA/ Panorama.al