“Për ty atdhe” përshtatje tallava për dasma minatorësh/Pse e fshiu Kryeministri komentin e Robert Aliajt?

“Për ty atdhe”, kënga e famshme me tekst e muzikë të Pjetër Gacit, e intepretuar në skenë nga Mentor Xhemali është risjellë me një klip nga tenori nga Kosova, Ramë Lahaj. Kryeministri i vendit, Edi Rama mëngjesin e sotëm e ka nisur pikërisht me notat e kësaj kënge të rikompozuar.

Rama mesa duket është ende në atmosferën e festave të 28 dhe 29 nëntorit, e pikërisht me këtë këngë ka uruar një javë të mbarë për të gjithë shqiptarët. “MIRËMËNGJES  dhe me këtë këngë të dashur ju uroj një javë të mbarë, pa harruar asnjë çast të mbroni shëndetin në këtë kohë kaq sfiduese!”, shkruan ai. Por komentuesit që e kanë parë me sy kritik këtë version të këngës nuk kanë munguar. Artisti shumë dimensional, Robert Aliaj ka bërë komentin e tij në wall-in e Kryeministrit, koment që u fshi në mënyrë të rrufeshme.

Megjithatë ne mundëm ta ruanim argumentin e Aliajt mbi këtë version të “Për ty atdhe”. “Zhgënjim, zgjedhje e gabuar, prisja më shumë. Mentor Xhemali padyshim që do të ishte zgjedhje më e zgjuar. Nuk shkon Pjetër Gaci version tallava, përshtatje për dasma minatorësh. Fatkeqësi e madhe kjo. Mc mc mc”, shkruante Aliaj, poshtē postimit. Mesa duket ky koment i Aliajt e ka acaruar aq shumë Kryeministrin, sa në vend të replikës ka zgjedhur ta fshijë fare.

Tenori nga Kosova, Ramë Lahaj, me rikompozimin e këngës “Për ty atdhe”, tregoi se ua bëri dhuratë shqiptarēve në 108-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Për t’i qëndruar argumentit të Robertit, ne po ju rikujtojmë variantin autentik të Mentor Xhemalit, në mënyrë që mund të bëni vetë krahasimin me atë të Ramë Lahaj.

/www.story.al