Pas 12 vitesh lidhje dhe dy fëmijë me Miriam Canin, Alban Skënderaj vetëdeklarohet si “tradhtar”
Largojeni për një moment nga mendja imazhin e Alban Skënderajt si burri i mirë, perfekt, besnik e romantik.
Këngëtari shumë i dashur për publikun shqiptar ka publikuar projektin e tij të fundit muzikor të titulluar “Ki mëshirë”, në të cilin si kurrë më parë shfaqet në rolin e një tradhtari.
Kënga me tekst të vetë Albanit vjen ndryshe si në tematikë, po ashtu edhe në klip, i cili duhet ta pranojmë është nga më të bukurit që kemi parë.
Pas disa materialeve muzikore në rolin e të dashuruarit dhe romantikut të përhershëm, Alban Skënderaj është rikthyer ndryshe këtë herë, kthesë që me sa duket u ka pëlqyer edhe fansave të tij, të cilët kanë shpërthyer me komente pozitive nëpër rrjete sociale, duke e përfolur për herë të parë në jetën e tij si tradhtar.
Kujtojmë që Albani është ndër artistët e rrallë, që nuk përflitet për scoop-e me tradhti apo pabesi në jetën e tij me Miriam Canin. Ai sapo është bërë baba për herë të dytë, ndërkohë që vitin e kaluar kurorëzoi me martesë historinë 12- vjeçare me Miriamin. Pas 12 viteve lidhje, çifti i famshëm Alban Skënderaj dhe Miriam Cani kurorëzuan në martesë dashurinë e tyre më 7 maj 2019.
Lajmin e bëri të ditur vetë çifti në rrjetet sociale, duke ndarë edhe momente nga ceremonia, ku sigurisht ishte e pranishme edhe vajza e tyre, Ameli, ndërkohë që Miriami ishte shtatzënë me fëmijën e dytë. Të tre të veshur me të bardha, lumturia e tyre dukej qartë në fytyrat e gëzuara.
“U deshën 12 vite që të quheshim zyrtarisht burrë e grua, por në zemër kemi qenë dhe jemi ende ata dy të rinj ëndërrimtarë, që përtej ceremonive, gjithmonë e kanë ndierë thellë në shpirt se janë bërë për njëri-tjetrin. U deshën 12 vite të thoshim PO përpara Zotit dhe njerëzve që na duan, por në të vërtetë zemrat kanë thënë përgjithmonë PO nga momenti i puthjes së parë!
U deshën 12 vite të vishnim kostumin dhe fustanin e nusërisë e të shkëmbenim unazat, kur ndërkohë kemi jetuar nën lëkurën e njëritjetrit çdo gëzim e hidhërim dhe kemi ndarë çdo të mirë e të keqe që jeta na ka ofruar. Fati dhe shpirti donin që ky moment i shënuar të merrte jetë pikërisht aty ku në vitin 2013, ai propozim i pazakontë na la për pak pa frymë të dyve, por këtë herë jo në botën e magjishme nënujore, por vetëm pak metra më larg, në sipërfaqen e një ishulli të pabanuar.
Një pikë e bardhë në mes të oqeanit. Zhveshur nga të gjitha dekoret e krijuara nga dora e njeriut dhe veshur nga bukuritë përrallore që ka krijuar dora e Zotit. Duhet të prisnim 12 vite që kjo dite të merrte kuptimin e plotë të saj me prezencën e engjëllit tonë, Amelisë. PO … deri sa vdekja të na ndajë! 7 Maj, 2019”, shkruante këngëtarja Miriam Cani.
Nuk mungojnë duetet e tyre që ia kushtojnë dashurisë së fortë që kanë me njëri-tjetrin, ndërkohë që Albani ka vendosur të ndryshojë strategji, duke u prezantuar për herë të parë si “djali tradhtar” në projektin e ri. /Panoramaplus.al