Pandi Laço krahason “Sanremo-n” me Festivalin e RTSH-së, statusi ku zbuloi buxhetin dhe pagesat
Përveç showman-it Ardit Gjebrea, edhe producenti i njohur i disa produksioneve televizive Pandi Laço ka dhënë opinionin e tij për “Sanremo 2019”. Laço, i cili ishte skenaristi i Festivalit të fundit të Këngës në RTSH, ka shkruar një status të gjatë në Facebook, ku zbulon dhe disa detaje të pathëna të festivalit shqiptar, nga i cili po ashtu si nga “Sanremo” zgjidhet kënga fituese që përfaqëson vendin në Eurovizion. Ja ç’shkruan Laço në statusin e tij: “Sanremo” filloi. 17 milionë Euro janë kostot e Festivalit gati sa një kilometër autostradë këtu tek ne… Nuk është aq shumë, si eventi më i madh i muzikës në Itali. Rreth 30 milionë lekë (të reja) kushton festivali i këngës në RTSH. Më pak se gjysma e pagesës se Claudio Baglionit për këtë Festival. Rreth 300 mijë Euro, secili marrin dhe prezantuesit e tjerë të Sanremos. E talentuara Ana Golja, performoi për një pagesë sa 1/100 e tyre. Baglioni, drejtor artistik dhe prezantues, deklaroi paraprakisht se nuk do të jetë një “festival politik”. Por në momente të caktuara, gracka e politikës nuk i kurseu protagonistët e Festivalit. Këngë impenjative, me tekste të forta, për emigracionin, dhunën në familje, marrëdhëniet prindër-fëmijë, natyrisht dhe për dashurinë një pjesë e mirë… Probleme me audion e dëgjimin sa të duash, aq sa Patty Pravo ndërkohë që muzika merr kohë të fillojë, lëshon batutën…”Kam ardhur të këndoj, jo të dal xhiro këtu…”
Gafa të prezantuesve (jo lapsuse), aq sa në një moment vjen një përshëndetje speciale për Casamonicat, familjen më të madhe mafioze të Romës… Aty-këtu edhe shaka të sforcuara..! Po “Sanremo” gjithmonë funksionon, ndërkohë që i bëhet jehonë kësaj pjese të kulturës italiane! Bashkia e qytetit jep shumë para për një event që i përket publikut! 25 milionë Euro parashikohen të ardhurat!”, përfundon statusi i Laços.