PAMJE TË QARTA/ Momenti kur vritet Klaudio Prendi, vrasësit i shkojnë paralel me “Audi”…(VIDEO)
Vox News ka siguruar pamje të qarta të momentit kur Klaudio Prendi, djali i ish-gjyqtarit të GJKKO-së, Fran Prendi është ekzekutuar me armë me silenciator në rrugën Xhanfize Keko në kryeqytet.
Në video, shihet teksa viktima del nga lokali ku ishte nën shoqërinë e miqve të tij dhe futet në makinën tip G Class të parkuar tek stacioni i autobusëve. Në atë moment, atentatorët i shkojnë paralel me Audi duke e qëlluar me armë me silenciator dhe largohen nga vendngjarja.
Miqtë e viktimës, sapo kanë parë ngjarjen e rëndë, vrapojnë drejt Klajdi Prendit për t’i ardhur në ndihmë dhe e dërgojnë me mjetin tip G Class në spitalin e Traumës, por 28-vjeçari nuk arriti që të mbijetojë. Ndërkohë, pak më vonë në vendin ku ndodhi atentati mafioz mbërrijnë forcat e policisë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 00.30 minuta, pak pas mesnatë së të hënës (19 Nëntor) ku autorët, të cilët dyshohet se ishin 3 persona, e kanë vëzhguar djalin e ish-gjyqtarit për orë me radhë.
Ata e kanë pritur të riun, që ishte në lokal me miqtë, derisa doli dhe në momentin që po hipte në makinën e tij e kanë qëlluar me silenciator. 28-vjeçari raportohet u qëllua me të paktën 5 plumba në trup, dy prej tyre në kokë dhe gjoks që ishin fatale. Një skemë tipike atentati mafioz, ndërsa makina e autorëve ka ardhur nga zona e Freskut dhe pas vrasjes e ‘Audi’ i atentatorëve është gjetur në flakë në zonën e Farkës.
Një person dyshohet se i ka ndihmuar të largohen dhe burime nga grupi hetimor se në mjetin e shkrumbuar të autorëve nuk është gjetur arma që u përdor për ekzekutimin e të riut. Makina e autorëve ‘Audi A4’ ka pas targa greke të mbivendosura dhe ende nuk është këqyrur numri i shasisë, pasi është dëmtuar nga djegia. Agjentët e policisë kriminale po përpiqen të përftojnë të dhëna për të mësuar pronësinë e makinës, nëse rezulton apo jo e vjedhur.
voxnews.al