Orinda Huta ndjek pas bashkëshortin, largohet nga “Vizion-i” pas Turjan Hyskës
Pas lajmit se Turjan Hyska do të braktisë televizionin “Vizion Plus” për postin e drejtorit ekzekutiv në televizionin “Klan Plus”, duket se dhe bashkëshortja e tij, Orinda Huta do të ndjekë të njëjtat hapa.
Burime për “Iconstyle.al” pranë “Vizion Plus” tregojnë se Orinda Huta po mendon të braktisë televizionin, ku po punon prej nëntë vitesh. Thuhet se Orinda do t’i bashkohet Turjan Hyskës në televizionin “Klan”, por ende nuk dihet se cili do të jetë projekti i saj në këtë televizion. Ky lajm vjen vetëm pak kohë pas zërave për largimin e trupës së aktorëve të “Apartamentit 2XL” në televizionin “Klan”, lajm ky që u mohua nga aktori Albano Bogdo në një intervistë të pak ditëve më parë. Orinda Huta është autore e emisionit “Cover”, që transmetohet çdo të diel në ekranin e “Vizion Plus”, ku përveç personazheve të artit shqiptar, trajtohen edhe tema mbi modën, arkitekturën dhe stilin. Emisioni i parë i Orinda Hutës në “Vizion Plus” ishte emisioni “Next”, ku së bashku me Fabian Bashën prezantonin emisionin ku autor ishte Turjan Hyska. Vite më vonë, Orindës iu besua autorësia e emisionit “Next”, “Vizioni i Pasdites”, “Fustani i Ëndrrave” si dhe emisioni “Cover”.