Olsi & Ariola Beci: Romanca jonë e dashurisë nisi me bisedat në chat deri në 05:00 të mëngjesit, si u finalizua me dasmë në ditëlindjën e parë të vajzës Ohana
Janë çifti special që zgjodhën ditëlindjen e parë të vajzës Ohana për t’u veshur nuse e dhëndër. Olsi Beci dhe Ariola u panë gjashtë vite më parë nga miq të përbashkët, u njohën në bisedat e gjata në facebook dhe më pas filluan takimet e dashurisë… Para dy muajsh organizuan dasmën më të veçantë që keni parë e dëgjuar ndonjëherë, që nga muzika e deri tek menyja e darkës festive. Detajet e martesës nga propozimi me pyetjen e famshme: “A pranon të martohesh me mua?” deri tek kërcimi i nxehtë martesor mbi tavolina çifti special i rrëfejnë në këtë intervistë të veçantë për revistën “Story”.
Si e kujtoni historinë tuaj të dashurisë, kur dhe si u njohët?
Olsi: Me Ariolën jam njohur para gjashtë vitesh, ku na prezantuan disa miq të përbashkët për ekzistencën e njëri-tjetrit, por nuk u takuam dot deri në momentin kur i bëra kërkesë në facebook.
Pra romanca nisi në facebook?
Olsi: Po, gjithçka nisi në facebook me biseda në chat me orë të tëra deri në 05:00 të mëngjesit. Na ngjiti biseda pa u takuar, sa nuk mbaronim së foluri derisa na zinte gjumi. Pastaj u takuam, nisëm të frekuentonim njëri-tjetrin dhe kështu filloi lidhja jonë e dashurisë.
Tani që e kujtoni dashurinë juaj ishte me shikim të parë, apo ndjenjë që lindi me kalimin e kohës?
Olsi: Për mua, kur e takova Ariolën për herë të parë kisha një impakt shumë pozitiv, dhe kisha një ndjesi sikur kisha kohë që e njihja. Është vajzë e bukur, çapkëne dhe mbi të gjitha më kupton në gjithçka edhe pa folur fare.
Ariola: Ndërsa për mua ishte pak më ndryshe me Olsin. Nuk kisha atë pulsin “bum bum”, por Olsi më pëlqeu për mënyrën e perceptimit të gjërave në përgjithësi. Djalë mendjehapur, pa komplekse, shumë i çiltër dhe i ëmbël. Fiks si ato ëmbëlsirat me shumë sheqer dhe limon (qesh). Çfarëdo që ne të dy të mendonim ishte një kimi e pashpjegueshme, dhe të dy e ndjenim që ishim të destinuar për njëri-tjetrin.
Sa kohë nga njohja juaj vendosët për martesë?
Olsi: Martesa jonë është e freskët, pasi e celebruam para dy muajsh, në një nga ditët më të bukura. Zgjodhëm ditëlindjen e parë të vajzës sonë Ohanës për t’u bërë nuse e dhëndër. Në fakt propozimi për martesë, domethënë celebrimin zyrtar e kemi bërë para se vajza të vinte në jetë.
Ku qëndron veçantia e propozimit tuaj?
Ariola: E veçanta e propozimit është që është bërë me shumë dashuri dhe sinqeritet. Propozimi ishte nga ana e Olsit. Më zgjoi në mëngjes me shumë lule dhe ëmbëlsira në krevat, ku kishte dhe një pusullë me fjalë të ndjera. Pastaj u ul në gjunjë dhe bëri pyetjen e famshme: “A pranon të martohesh me mua?”. Ishte shumë e bukur pasi zgjodhi pikërisht datën tonë të lidhjes.
Po ngjitjen në altar si përjetuat, çfarë kujtoni nga ai moment?
Olsi & Ariola: Ishte një nga momentet më të bukura dhe emocionuse të dasmës. Tashmë atë betim që kishim bërë më parë, pra që do të përkujdesemi dhe do ta mbështesim njëri-tjetrin, deri në përjetesi tani do po e bënim para vajzës sonë Ohanës, dhe njerëzve tanë më të dashur. Moment shumë emocionues ishte kur prindërit na shoqëruan në altar, dhe na dhanë bekimin e tyre si dhe premtimet që ne i bëmë dashurisë sonë dhe Ohanës sonë të vogël. Ishte kryetari i Bashkisë, bashkë me Ohanën në krah, që drejtuan ritualin e celebrimit.
Ku synuat të ishit të veçantë, dhe disa surpriza të mbrëmjes?
Olsi & Ariola: Surpriza kishte shumë. Synimi ynë ishte që të bënim një dasmë ndryshe nga ato që bëhen zakonisht, duke ndërthurur të gjithë komponentët me njëri-tjetrin që të kenë mundësi të gjithë të ndihen mirë. Lorini, violinist i talentuar kishte ardhur enkas nga Belgjika për ne të dy. Prania e shumë miqve që jetonin jashtë Shqipërisë na gëzoi pa masë, të veçanta ishin kërcimi i Olsit me djemtë, dhe shumë dhurata.
Ishte ajo nata më e bukur e jetës suaj, dhe çfarë e bënte të tillë përveç faktit që ndryshuat statusin?
Olsi & Ariola: Padyshim që ishte një nga ditët më të bukura të jetës sonë. Jemi të bekuar nga Zoti nga ardhja në jetë e Ohanës, për më tepër që për ditëlindjen e saj ne celebruam dhe dashurinë tonë.
Do të kujtoni ndonjë marrëzi si nuse e dhëndër, bëtë diçka ndryshe nga çiftet e tjera?
Olsi: Vetëm si nuse dhe dhëndër nuk jemi sjellë. E kemi shijuar çdo moment duke kërcyer si të harbuar. Ne të dy frekuentojmë club-et me muzikë latino-amerikane, kështu nuk munguan dhe performancat tona me bachata, salsa, etj.
Mund të veçoni ndonjë moment pikant nga dasma?
Ariola: Një moment pikant ka qenë dhe heqja e zhardierit me këngën “You can leave your had on”, ku unë nusja kërceja sipër tavolinës dhe dhëndri Olsi, i zhveshur duke hequr zhardierin me dhëmbë.
Cili ishte stili i veshjes së nuses dhe dhëndrit, qëndruan brenda natyrës së tyre apo dolën nga stili për atë nate? Ata tregojnë se veshjet e tyre ishin totalisht të përshtatura me personalitetet e tyre. Olsi si dhëndër tregon: “Kostumi im ishte te tonalitetet e blusë së errët, i dizenjuar me detaje të personalizuara nga mjeshtri, Altin Mici. Kurse Ariola në pozitat e nuses rrëfen: “Ndërsa fustanet e mia ishin fustane ëndrrash. Nuk u lodha shumë pasi i kisha idetë e qarta. Po ashtu dhe “Geraldina Sposa” ma bëri dhe më të lehtë zgjedhjen pasi aty gjeta “art” në fustane. Unë zgjodha tre fustane. I pari është përdorur për klipin e dasmës dhe ishte ngjyrë mente, e me shumë lule. E përshtatëm që të bënte kontrast me borën, pasi klipi ynë u realizua në Brezevicë. Ishte fustani i ceremonisë “stil princeshe” me kosh të madh, i bardhë tamam si princeshat në përralla, me vello të gjatë e i përshtatur me altarin. Ndërsa për darkën fustani ishte më elegant, stil i ngushtë për trupi, material saten dhe shumë komod”.
Unazat e martesës me gurë të çmuar
Pyetjes nga “Story” nëse kishin ndonjë dedikim të veçantë tek unazat e martesës, çifti Ariola&Olsi i përgjigjen kështu: “Unazat janë të personalizuara me emrat tanë. Ato kanë 3 gurë të çmuar, pasi ne ishim një familje prej tre anëtarësh, ku për më tepër që zgjodhëm një datë simbolike”.
Ceremonia, ndryshe nga të tjerat
Ishte një ceremoni dasme moderne apo tradicionale? Dasma ishte pak ndryshe nga dasmat e tjera, duke filluar që nga arredimi që ishte i zi me shumë drita dhe lule të tonaliteteve të vishnjes. Muzika ishte miks më pak popullore, pak rock, muzikë latino-amerikane, etj.
Menyja e lehtë & pikante
“Menyja e zgjedhur ishte e lehtë dhe pikante, në versionin bufe, ku të ftuarit mund të merrnin vetë çfarë ata dëshironin. Zgjodhëm një formulë organizimi ku të gjithë u kënaqën dhe festuam deri në 05:00 të mëngjesit”, tregojnë çifti Olsi dhe Ariola.
Muaji i mjaltit, nga Dubai në Antalia
Pas dasmës çifti bënë disa pushime të shkurtra jo shumë larg Shqipërisë, pasi vajza e tyre Ohana është ende e vogël. Muajin e plotë të mjaltit kanë vendosur ta bëjnë në shtator në Dubai, dhe disa ditë në Antalia, pasi për Olsin kjo është periudha më impenjative profesionale duke pasur parasysh që ka sezonin e dasmave.
Skeda e çiftit
Dhëndri, Olsi: Kameraman & fotograf
Nusja, Ariola: Specialiste Marketingu dhe Pedagoge e Jashtme
Fotot: Renuar Locaj