“Nuk jetoj dot pa të”/ Mësuesja 31-vjeçare në Greqi vritet me armë gjahu nga ish-bashkëshorti! Autori vetëvritet më pas në banesë
Një vrasje ka tronditur ishullin e Rodës në Greqi ditën e sotme. Një 31-vjeçare është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj me armë gjahu dhe më pas i dha fund jetës së tij.
Sipas mediave greke, 31-vjeçarja po hipte në makinën e saj në zonën e Rodinit, teksa ish-partneri i saj u afrua dhe e qëlloi me armë gjahu.
Nga informacionet e para, rezulton se ai kishte marrë me qira një makinë dhe po priste pak metra larg 31-vjeçares.
Pasi kreu krimin e rëndë, i riu është larguar dhe ka shkuar në shtëpinë e tij ku ka kryer vetëvrasje.
Sipas të njëjtave informacione, ai kish lënë një mesazh në të cilin shkruante se “nuk mund të jetonte dot pa partneren e tij” me të cilën ishin divorcuar rreth një muaj më parë.
31-vjeçarja, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur, punonte si mësuese në një prej shkollave të ishullit grek.
Nuk dihen ende shkaqet dhe rrethanat e kësaj ngjarje të rëndë.