Një familje me dy nëna në Shqipëri, lexoni intervistën ekskluzive me çiftin e lesbikeve
Jemi njohur në vitin 2010, në një nga partyt që organizoheshin për komunitetin. U pamë, u pëlqyem, u shoqëruam, u lidhëm.
Kështu nis historia e Anisës dhe Elidës, me të cilat shumë prej nesh u njohëm ditët e fundit. 11 vite pas nisjes së kësaj historie, në Shqipëri janë miratuar ligje të reja, që synojnë mbrojtje institucionale të personave LGBTI+ nga dhuna dhe diskriminimi, por realiteti shoqëror dhe perceptimet e një pjese të madhe të shqiptarëve, duket se kanë ndryshuar vërtetë pak.
Realiteti për personat LGBTI+ ka qenë thuajse i njëjtë përgjatë gjithë kësaj dekade, të cilën vajzat e historisë sonë ja kanë dedikuar aktivizmit dhe kauzës që i prek ato në të përditshmen e tyre. Shumë persona LGBTI+ ende detyrohen të jetojnë të fshehur, shpeshherë pranojnë të lidhin martesë me persona të seksit të kundërt vetëm për hir të familjes, e ato pak që dalin hapur dhe guxojnë të pranojnë veten e tyre, bëhen subjekt i dhunës, diskriminimit dhe histerisë kolektive mbi shthurrjen, e cila rallëherë përbën problem kur ka lidhje me fenomene të tjera të përditshmërisë sonë.
Ka dhjetëra çifte LGBTI+ gjithashtu, që jetojnë jetën tyre të lumtur, por në fshehtësi, larg syve të familjes dhe sigurisht larg dhe njohjes së institucioneve.
Të fshehur për hir të shoqërisë, për të shmangur histerinë e cila prej vitesh ushqehet negativisht nga keqkuptime mediatike dhe dashakeqësi të opinion-bërësve publik.
“Bashkëjetesa jonë kishte kohë që planifikohej. Unë e kam pasur shumë problem kur mendoja për prindërit e mi, por erdhi momenti. Bashkëjetesa erdhi vetë, natyrshëm, pas 5 vitesh lidhjeje. Pati vështirësitë e veta, por gjithnjë ishte e shtyrë nga mendimet tona për të ardhmen.”, thotë Anisa për Historia Ime.
Kur flasim për projektin që vajzat kishin në mendje, pjesë e projektit kanë qenë dhe shumë ëndrra që në vitin 2015 mund të dukeshin të pamundura, por dalëngadalë u kthyen në plane dhe gradualisht në realitet. E gjithë kjo po ndodhte në familjen e bukur që dy vajzat nga Tirana po ndërtonin bashkë.
Realiteti i tyre, i cili po fillonte të jetësonte diçka edhe më të madhe se sa ato mendonin fillimisht, po shoqërohej me një pranim gradual dhe të ngadaltë nga rrethet e tyre të ngushta. Përpjekjeve të tyre për realizimin gradual të ëndrrave që po thurrnin bashkë, ju bashkëngjit dhe aktivizmi për kauzën LGBTI+, me të cilën si Elida, edhe Anisa, u bashkuan që në hapat e para të advokimit në publik.
Dalëngadalë ëndrrave të tyre të përbashkëta, po i shtohej dhe dëshira e natyrshme për të shtuar në numër familjen e tyre.
E ndërsa historia në fjalë mund të duket si histori e çdo çifti tjetër në Tiranë, ajo mban brenda saj një padrejtësi tepër të madhe, së cilës ditët e fundit ju vendos përsipër edhe vala e nxehtë e urrejtjes, homofobisë dhe dëshirës për të mos dëgjuar dhe kuptuar të shumëkujt. E gjithë kjo padrejtësi, kthen pas atë pak avancim në letra që mund të ketë arritur Shqipëria përgjatë dekadës së fundit, e na kthen sërish në vitin 2010, kur vajzat u njohën me njëra tjetrën, të detyruara të fshihen e të jetojnë dashurinë e tyre larg familjarëve, personave të dashur dhe shoqërisë.
Sot bashkë me Elidën dhe Anisën për njohje e barazi, luftojnë dhe dy vogëlushe të porsa-ardhura në jetë prej tyre, të cilave shumë padrejtësisht u është vendosur mbi supe nga shoqëria barra e rëndë e të advokuarit për barazi e njohje, pa arritur ende të ecin apo të formojnë fjalët e tyre të para. Vajzat e porsa-lindura kanë ndryshuar jetën e dy nënave të reja, duke mbyllur një kapitull të planit të nisur në vitin 2010, e duke nisur një të ri.
Përpos jetës dhe përditshmërisë së Anisës dhe Elidës, dy super-vajzat po përpiqen të ndryshojnë dhe ligjet dhe kundërshtitë që po pengojnë njohjen e tyre nga autoritetet shqiptare. Do të duheshin vërtetë dy super-fëmijë, për të nxitur një debat aq të rëndësishëm, i cili edhe pse i krijuar plot me keqkuptime dhe dashakeqësi kundrejt tyre, është një debat të cilin tani nuk mundemi ta injorojmë më. Njohje ligjore për fëmijët me dy nëna apo dy baballarë.
Ardhja e vajzave në jetë, përmes inseminimit artificial, ishte një tjetër vështirësi, kur përveç mungesës së protokolleve mjekësore që njohin të drejtën e çifteve gej dhe lezbike për të krijuar familje, pati dhe rezistencë nga ana e mjekve, të cilët të shtyrë nga qëndrimet personale apo paragjykimet e tyre, mohonin dhënien e një shërbimi shëndetësor, vetëm se në klinikën e tyre nuk paraqitej dhe një individ mashkull i cili do të mund të merrte përgjegjësinë e shtatëzanisë, bashkë me Elidën që i solli vajzat në jetë.
“Takimi i parë për in-vitron ka qenë te një klinikë private, Klinika Gliozheni, e cila na la një shije të hidhur dhe na demoralizoi. Kur shkuam te kjo klinikë dhe unë kërkova që të bëhem nënë, doktori më pyet për partneren, të cilën ja prezantova si shoqen time të ngushtë. Doktori deklaroi se nuk mund të bënte ndërhyrjen pasi ishte në kundërshtim me ligjin, por pasi e pyetëm mbi specifikat e ligjit na tha se nuk mundet të kenë fëmijë çiftet e vajzave, pasi mund të ketë abuzime.”
Por çfarë thotë specifikisht ligji nr.8876, datë 4.4.2002, për Shëndetin Riprodhues?
Neni 6 i këtij ligji thotë specifikisht se: “Çdo grua, e lirë dhe e përjashtuar nga çdo formë diskriminimi, detyrimi dhe dhune, ka të drejtë për t’u kontrolluar e për të vendosur lirisht për të gjitha çështjet që lidhen me seksualitetin e saj dhe shëndetin seksual e riprodhues.”, ndërsa neni 8.2 i garanton çdo individi vendimmarrjen për ushtrimin e të drejtave riprodhuese sipas dëshirës dhe interesit të tyre të lirë nga diskriminimi, detyrimi dhe dhuna.
Në lidhje me inseminimin artificial, ligji merr parasysh se donator i semeneve mund të jetë dhe një individ tjetër, jo detyrimisht bashkëshort i gruas, ndërsa mbi fekondimin in-vitro, nuk parashikohet në asnjë pikë ndalimi i ndërhyrjes për nënat e vetme apo çiftet lezbike, pavarësisht deklaratave të doktorit në fjalë.
Procedura e realizimit të insemiminit artificial dhe fekondimit in-vitro, është një procedurë e gjatë dhe e kushtueshme, e cila në rastin e vajzave, me të gjithë provat, analizat paraprake, konsultat mjekësore dhe asistencën e mjekëve ka kushtuar rreth 17.000 euro në sistemin shëdetësor jo-publik. Shtatëzania rezultoi e suksesshme. Për shkak të pandemisë së Covid-19, pati vështirësi të shtuara, por sërish arriti të kurorëzojë ëndrrat e vajzave, të cilat bënë realitet ëndrrën e shumë çifteve të tjera LGBTI+, të cilat në një formë apo në një tjetër dëshirojnë të krijojnë familjen e tyre dhe të rrisin fëmijët e tyre në Shqipëri.
Por edhe pse ëndrra e krijimit të një familjeje duket se është kthyer në fakt, sërish përballë ligjeve dhe institucioneve të këtij vendi, Anisës dhe Elidës po i mohohet e drejta e prindërimit të përbashkët, njëkohësisht dhe vajzave po i mohohet njohja ligjore si fëmijë me dy nëna, e cila po bën të pamundur dhe rregjistrimin e tyre në gjendje civile.
Ende sot, foshnjat vijojnë të jenë të parregjistruara ligjërisht. Pas një kërkese të depozituar në zyrat e gjendjes civile, përgjigja e tyre ishte se nuk mund të rregjistrohen fëmijët me dy nëna. Ka nisur ndjekja ligjore e rastit në fjalë, por ende nuk dihet se edhe për sa kohë, vajzat e porsa-lindura do të privohen nga të drejtat e tyre si qytetare të këtij vendi, vetëm për shkak të rezistencës shoqërore për tu dhënë mundësinë dy nënave për te rregjistruar një familje.
Është e nevojshme njohja ligjore e kësaj familjeje, për të siguruar njohjen e të drejtave themelore për mirëqenien e foshnjave në fjalë.
Të pyetura mbi pritshmëritë e tyre për njohjen ligjore, Anisa dhe Elida janë të bindura se njohja do të realizohet, duke shtuar se ligjet gjithmonë ndryshojnë. Dy nënat e reja, sidomos Elida, kanë vënë në pikëpyetje shumë gjëra, por sërish nuk janë aspak të demoralizuara.
“Kur kthej sytë, pyes vetën a është e drejtë që ju mos të keni identitet? Janë dy foshnjë 5 muajshë që ende nuk kanë një identitet. Njëkohësisht lexoj komentet, dhe nuk kuptoj çfarë shpirti kanë këto njerëz që nxjerrin kaq shumë urrejtje dhe mllef për dy foshnje që janë ende të parregjistruara.”, shprehet Elida për frikën e krijuar ditët e fundit nga stuhia e urrejtjes në rrjete sociale.
Situata e krijuar, ka prekur jo vetëm dy nënat e reja, por dhe të gjithë komunitetin LGBTI+, të cilët u bënë shënjestër e gjuhës së urrejtjeve, të kërcënimeve, sharjeve dhe apatisë e mungesës së reagimit të institucioneve. Intervistën për Historia Ime, vajzate mbyllin me një thirrje për institucionet dhe përfaqësuesit e tyre.
“Pavarësisht se çfarë ato mendojnë personalisht, ato janë aty për të vendosur më të mirën për njerëzit e këtij shteti. Dy qytetareve më të reja të këtij vendi, u mohohet të kenë dy prindër, edhe pse i kanë dy prindër. Institucionet duhet të gjejnë një zgjidhje, sepse mund të jemi të vetmet për momentin, por ka shumë çifte që po mendojnë të ndërmarrin të njëjtët hapa si ne për krijimin e një familjeje.”