Një dasmë me vetëm katër të ftuar, mos vallë martesa e Sias do të bëhet trendi i radhës?
Këngëtarja e njohur Sia sapo kurorëzoi dashurinë e saj, Dan Bernard. Ajo është martuar në fshehtësi në një ceremoni private në vilën “Olivetta” të Stefano Dolce-s dhe Domenico Gababanna-s në Portofino të Italisë. Çfarë u bëri habi të gjithëve ishte fakti se në dasmë ishin të ftuar vetëm 4 persona. Këngëtarja kishte veshur një fustan me dantellë dhe mëngë treçerekëshe që krijonte idenë e një siluete sirene. Ajo e plotësoi “look-un” e saj me një buzëkuq të kuq dhe një vello të qëndisur. Në krah të Sia-s, bashkëshorti i saj kishte veshur një kostum të bardhë me refleks bojëqielli dhe mund të themi se duken shumë bukur së bashku. Çifti shkëmbeu betimet në një ambient të zbukuruar me trëndafila në nuancat e rozës, vjollcës, së verdhës dhe së bardhës. Në sfond kishte tavolina me motive ari dhe pafund qirinj të bardhë.
Këngëtarja e “Cheap Thrills” ka mbajtur një pjesë të madhe të marrëdhënies së saj me Bernardin larg syrit të publikut, kështu që nuk e dimë me siguri kur janë takuar për here të parë dhe si ka avancuar lidhja e tyre. Sipas “People”, Sia ka publikuar vetëm një foto të bashkëshortit në rrjetet e saj sociale në 21 tetor të vitit 2022.
Kujtojmë se kjo nuk është martesa e parë e Sia-s pasi këngëtarja ka qenë në një marrëdhënie dy vjeçare me Erik Anders. Ata u martuan në shtëpinë e yllit në “Palm Springs” të Kalifornisë në gusht të vitit 2014. Në dhjetor të vitit 2016, ajo ndau me të gjithë lajmin e ndarjes e tyre.