“Një bisturi është dashur”, reagim i fortë nga nënkryetari i Sindikatës së Mjekëve: Lërini pallavrat! Foshnja mund të shpëtohej
Nënkryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së, Enlirat Duraku, ka kërkuar dorëheqjen e drejtorit të Gjinekologjisë, Zef Ndrejajt, për mosndërhyrjen e shpëtimit të foshnjës në rastin e vrasjes së nënës shtatzënë, Hamide Magashit, të mërkurën.
Ai përmes një komunikate ka thënë që Kodi i Etikës e lejon që të kryhet një ndërhyrje i tillë në kushte të tilla, shto faktin që rasti ka ndodhur në oborrin e Gjinekologjisë.
“Lërini pallavrat dhe shfajësimet, nuk janë kërkuar kushte aseptike operative për ta nxjerrë foshnjën pasi nëna ka qenë e pajetë”, thuhet në komunikatë.
“Një bisturi është dashur. Kaq. CTG-ja ka qenë literalisht dhe figurativisht 30 metra larg viktimës, me çka do ishte konstatuar urgjentisht se a është foshnja gjallë apo jo”.
“Përveç kësaj, Kodi i Etikës e lejon një ndërhyrje të tillë në momentin që konstatohet vdekja e nënës dhe që foshnja është gjallë”.
“Nuk ka qenë viktima në rrugë, në spital ka qenë ta hajë dreqi, po qysh askush nuk u afrua për ndihmë asaj dhe foshnjës, mirëpo vetëm me çarçafë ?!!!!”/KlanKosova