Nisur nga Kiara, pse kemi frikë të duam shumë dikë?

Kiara i pohoi Luizit se ka frikë ta dojë dikë shumë dhe në fakt, është një situatë që ndoshta shumë prej nesh e kanë gjetur veten. Përvojat, ndjesitë dhe përjetimet janë të ndryshme për secilin prej nesh, por ne ju japim 4 arsye pse përballemi me këtë frikë:

Dashuria na bën të jemi të brishtë

Një lidhje e re është një territor i paeksploruar dhe si i tillë, zgjon frikëra dhe pasiguri ndaj së panjohurës. Gjithsecilit i duhet kohë që të dashurojë dhe të ndërmarrë rreziqe të reja, në mënyrë që t’i besojë personit tjetër, apo të ekspozojë edhe anën më të brishtë. Kur barrierat që ne kemi vendosur sfidohen dhe mund të rrëzohen, është mëse e zakonshme që të përjetojmë pasiguri.

Një lidhje e re zgjon frikëra të vjetra

Frikërat na shoqërojnë gjithë kohës. Ato janë prezente në formën e traumave, të cilat burojnë që nga fëmijëria e deri te lidhjet romantike që kemi krijuar gjatë jetës.

Kur zhgënjehemi apo tradhtohemi, priremi të mbyllemi në vetvete dhe kur dikush i ri shfaqet në jetën tonë, frikërat dhe traumat e fshehura dalin në sipërfaqe. Inati, xhelozia, lëndimi, apo traumat e refuzimit dhe humbjes mund të ridalin sërish, për të na bërë të kemi frikë të dashurojmë.

Sfidohet identiteti i vjetër

Shumë prej nesh ndërtojnë një identitet të bazuar në përvojat jetësore dhe ndoshta, edhe në ndjesitë e këqija që përjetojnë. Zëri i brendshëm që na kritikon, apo edhe mendimi që kemi rreth vetes krijojnë pikërisht një identitet i cili më shumë se na ndihmon, na fut në zonën e rehatisë dhe kur përballemi me ndjenjën e dashurisë, kemi frikë të dalim nga kjo zonë rehatie dhe ta njohim veten në një tjetër aspekt.

Mendojmë se me lumturinë, vjen edhe dhimbja

Shpeshherë, kur ndiejmë lumturi, stepemi se gjërat nuk do të shkojnë mirë dhe shumë shpejt ndjesia e gëzimit do të zëvendësohet me trishtimin.

Sigurisht, kjo mund të ndodhë, por nëse rrimë gjithë kohës dhe mendojmë se si mund të shkojë jeta, nuk do të jemi në gjendje të shijojmë asgjë!

Anabelmagazine