Nina Moriç nuk njihet më, në ekran për të na treguar si merr fund një grua yll
Dikur një “show girl” që e kishin zili të gjithë, ndërsa sot, teksa është rikthyer në një televizion pas kaq shumë kohësh për të qartësuar gjërat me të fejuarin e saj, Luigi Mario Favoloso, spektatorët kanë mbetur të tronditur mbi 41-vjeçaren (42 i mbush në korrik). Të gjithë e kanë vënë re dobësinë e saj, një fytyrë e plakur keqazi, këmbë tejet të holla dhe format e dikurshme tashmë të zhdukura. Për të mos folur më pas për fjalët e saj që lanë me sytë hapur ndjekësit e “Grande Fratello”-s në Itali. Ajo që tronditi më shumë ishte pikërisht fakti që Nina Moriç, modele kroato-italiane, u rikthye për të treguar pa më të voglën frikë të vërtetën e saj. Fjalët ndaj të fejuarit (apo ish-it) ishin edhe më të rënda, të cilat zbulojnë të tjera vështirësi.
Nina zbuloi detaje mbi jetën e saj private, të pathëna e të padëgjuara më parë, të cilat janë ndoshta edhe një tregues i pjesshëm i gjendjes së saj shëndetësore, shkruan Top Channel.
“Një vit e gjysmë më parë përjetuam një tragjedi, humba fëmijën në muajin e katërt të shtatzënisë”, rrëfeu Nina. Duket se i ishte “mbushur kupa” dhe donte të zbrazej kundër Luigi Mario Favoloso, të fejuarit të saj të futur në shtëpinë më të vëzhguar nga kamerat në Itali, e tashmë i eliminuar për sjelljet e pahijshme dhe të papranueshme brenda saj.
“E di pse jam këtu? ishte pyetja që modelja kroate i drejtoi (ish) të fejuarit. “Sepse dua të mbroj dinjitetin tim. Nuk dua të zbuloj jetën time private. Teksa ti ishe rehatuar në këtë shtëpi, duke ndyrë me rrëfime raportin tonë, unë qëndroja jashtë. U akuzova për falsitet. Unë përjetoj prej 4 vitesh një makth ligjor (i referohet këtu të birit Carlos, që e ka nga lidhja me Fabrizio Coronën, kujdestaria e të cilit i është hequr). Jam një grua, e mbi të gjitha një nënë dhe kam humbur dy fëmijë. Ndërsa ti i dhe goditjen përfundimtare. Të falënderoj!”
Nina Moriç u duk hapur se nuk është në një gjendje të mirë, e ndoshta edhe hakmarrja e të birit Carlos, të cilit duhet t’i qëndrojë larg, nuk e ndihmon. Por, ajo që pyesin shumica e shikuesve është se a ia vlen të shohësh gjithë këto vuajtje në televizion, pa asnjë filtrim, thjesht sa për të rritur shikueshmërinë?