Nga Bakaj te Hasani, shikoni listën e lojtarëve të pranishëm në stërvitjen e parë të Dinamos!

Dinamo ka nisur dje për gatitjet zyrtarisht për sezonin e ri, teksa në orën 18:00 në kompleksin “Football Republic”, trajneri Bledi Shkëmbi e ka filluar me një fjalim para skuadrës. Ky ka qenë edhe prezantimi i parë për kreun e pankinës me futbollistët. Në fushë ishin 21 lojtarë, ku nga skuadra e sezonit të kaluar kanë mbetur për momentin vetëm portieri Edvan Bakaj, mbrojtësi Endri Reçi dhe mesfushorët Xhoel Plaku dhe Kevi Berberi. Ndryshimet e mëdha te blutë në presidencën e Ardjan Bardhit kanë nisur që nga autobusi i ri.

Blutë kanë mbërritur në kompleks me një mjet shumë modern, ndërsa fillimisht ishin grumbulluar në hotelin pak kilometra larg kompleksit, ku drekuan të gjithë së bashku. Kompletet e reja sportive, që nga fanellat për stërvitje, por jo vetëm, ranë në sy në këtë stërvitje të parë. Kompania gjermane e veshjeve sportive, “UHL Sport”, është sponsori i ri teknik i Dinamos. Skuadra e parë, U-21 dhe të gjitha ekipet e akademisë Dinamo do të vishen me linjën e veçantë të “UHL”.

Uniforma e parë, e dytë dhe ato të portierëve vijnë të personalizuara për ekipin blu, ashtu siç ka raportuar vetë klubi. Ndërkohë, në seancën e parë nga afrimet e verës mungonte vetëm mesfushori Lancinet Sidibe, por gjithashtu edhe Agim Ibraimi, i cili pritet të zyrtarizohet nga momenti në moment si goditja e madhe e klubit blu, shkruan Panoramasport.al. Risi ishte edhe prania e disa të rinjve, mes tyre e 18-vjeçarit nga Elbasani, Lorenco Hasani. Ky i fundit vjen nga ekipi privat, AF Bajrami dhe mund të konsiderohet si afrimi tjetër i bluve. Bëhet fjalë për një qendërsulmues të talentuar, që klubi blu kërkon ta afirmojë në Kategorinë Superiore që këtë sezon.

PANORAMASPORT.AL