Nesër finalja e Eurovizion-it/ Zbuloni kur do të ngjiten në skenë tre shqiptarët
Finalja e madhe e “Eurovizionit” në Lisbonë po pritet me padurim, sidomos nga vendet pjesëmarrse që kanë arritur të kualifikohen për në finale e do të garojnë për vendin e parë. Detaji më i këndshëm i këtij edicioni është se ndër 26 konkurrente, tre prej tyre janë shqiptare: Eugent Bushpepa përfaqëson Shqipërinë, Ermal Meta përfaqëson Italinë dhe Eleni Foureira përfaqëson Qipron. Ndërkohë në faqen zyrtare të Eurovizionit është publikuar dhe lista sipas radhës kur do të performojnë konkurrentët nesër mbrëma. Eugent Bushpepa do të këndojë “Mall” dhe do të jetë i 12 në radhë, ndërkohë që Eleni do të jetë e 25-a, për t’u pasuar nga Ermal Meta që do të këndojë i 26-i, pra i fundit që do të mbyllë garën, shkruan Blitz.al. Me rëndësi është që të gjithë shqiptarët që jetojnë në Europë, të votojnë për Eugent Bushpepën dhe këngën “Mall” për ta ngritur sa më lart në renditjen e pikëve përfundimtare. Theksojmë se ky i fundit pati një paraqitje të shkëlqyer gjatë gjysmë-finales së parë duke lënë mbresa tek të gjithë.