Në prag të Festivalit të Këngës në RTSH, Vikena Kamenica tërhiqet nga gara
Këngëtarja Vikena Kamenica është tërhequr nga gara në festivalin e 57-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Si pasojë e impenjimeve të papritura profesionale, këngëtarja e ka të pamundur të jetë pjesë e festivalit. Mësohet se në bazë të rregullores së Komisionit përzgjedhës, është vendosur që kënga “Dua ta besoj”, nga Artemisa Mithi & Febi Shkurti të bëhet pjesë e garës. Shumë këngëtarë të njohur të skenës shqiptare kanë vendosur të rikthehen në skenën e festivalit, për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion këtë vit. Sakaq, nuk mungojnë edhe të rinjtë e talentuar të cilët do të provojnë veten gjatë performancës “live”, shkruan Iconstyle.
Të përzgjedhurit për netët finale në Festivalin e 57-të të RTSH-së janë Aurel Thellimi, Bojken Lako, Lorela Sejdini, Bruno Pollogati, Dilan Reka, Eliza Hoxha, Elona Islamaj, Orgesa Zaimi, Elton Deda, Eranda Libohova, Soni Malaj, Gjergj Leka, grupi Alar Band, Jonida Maliqi, Kelly, Klint Çollaku, Klodiana Vata, Kujtim Prodani, Lidia Lufi, Marko Strazimiri & Imbro, Mirud. Festivali i 57-të i RTSH-së pritet të mbahet në datat 20-21-22 dhjetor në Pallatin e Kongreseve.