Ndërron jetë në moshën 89-vjeçare, Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Imzot Ignati ndërroi jetë sot në moshën 89-vjeçare. “Sot më datën 20 Korrik 2024, Fjeti më Zotin në moshën 89 Vjeçare, Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Hirësia e Tij Imzot Ignati! Hirësia e Tij, Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Imzot Ignati (Trianti), ishte arvanitas me origjinë nga Thiva, ku lindi më 1934. Zotëronte gjuhën shqipe. Ai studioi në Shkollën Kishtare “Patmiadha”, si dhe në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Athinës. Ishte diplomuar gjithashtu edhe në Konservatorin e Pireut.
Shërbeu si predikues dhe mësimdhënës laik në Kryepiskopatën e Shenjtë të Athinës. Në vitin 1967 u dorëzua dhjak dhe prift nga Mitropoliti i Thivës dhe Livadhjasë, Nikodhimi, dhe shërbeu si meshtar në Kishën Katedrale dhe si Epitrop Arkihieratik i Thivës (1967-1972), Igumen i manastirit të shenjtë “Oshënar Llukai” të Livadhiasë (1968-1976) dhe i manastirit “Oshënar Serafimi”, të Dhomvus (1975-1996), predikues (1972-1992) dhe atë shpirtëror i kësaj Mitropolie (1962-1996).
Ka shkruar koleksionin me tri vëllime “Poezitë e Kallogjerit” dhe librat “Përulësia sipas Shkrimit të Shenjtë dhe Etërve të Kishës”, ndërsa për librin e tij të fundit: “Jerondi i Patmos, hieromonaku Amfilohios Makri”, u nderua nga Akademia e Athinës. Më 24 qershor 1992 u zgjodh nga Sinodi i Shenjtë i Patrikanës Ekumenike Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës. U dorëzua episkop më 27 qershor 1996 dhe u fronëzua nga Kryepiskopi, Fortlumturia e Tij Anastasi, më 18 korrik 1998, në Berat.”, thuhet në njoftim.