“Messi utopi”, Marotta gënjeu njësoj edhe për Ronaldon. Afrimi i argjentinasit te Interi mund të bëhet realitet
Administratori i deleguar i Interit, Xhuzepe Marota, e cilësoi “utopi”, por zëri vazhdon të qarkullojë. Nga momenti kur edhe vetë televizioni i “Suning”, “PPTV”, për të prezantuar sfidën e së martës me Napolin, projektoi në “Duomon” e Milanos hijen e Lionel Mesit, i gjithë ambienti zikaltër, me tifozët në krye, ka nisur vërtet të besojë te transferimi i shekullit.
APARTAMENTI NË MILANO – Lajmi për blerjen e një apartamenti në Milano (pranë selisë së Interit) nga babai i argjentinasit Horge, për të kuruar bizneset e numrit 10 të Barcelonës, bëri të nisej menjëherë një çështje merkatoje. Për të shuar zjarrin erdhi mohimi i Marotës dhe i Kontes. Trajneri madje komentoi me batutë: “Më e lehtë do të ishte të zhvendosej ‘Duomo’ sesa Interi të blejë Mesin”.
Drejtuesi zikaltër, megjithatë, është ekspert dhe shumë i zoti për gjetjen e fjalëve në çdo deklaratë. Frazat që prononcoi dy ditë më parë kujtuan shumë nga ato që shpenzoi disa muaj përpara se të merrte Kristiano Ronaldon te Juventusi, edhe pse ai nuk ishte mes “partizanëve” kryesorë për blerjen e yllit portugez.
JANARI 2018 – Por, kthehemi pak prapa: në janar 2018, kur po dilnin fjalët e para për ndarjen mes CR7-ës dhe Realit të Madridit, ish-juventini Marota tha: “Kristiano te Juvja? është një thashethem. Sepse, diçka është ta ëndërrosh dhe tifozët kanë gjithë të drejtën për ta bërë, diçka është ta blesh. Realiteti është që për ne është e pamundur të kryejmë një operacion të tillë. Ashtu si për çdo skuadër italiane, do të kishte kosto jashtë çdo parametri dhe një rrezik ekonomik i lartë. Janë negociata që mund të nisin përpara se të bëhen kampionë”.
HAPEN BASTET… – Marota me siguri nuk ka arritur të “gënjejë” as kompanitë e basteve: analistët e “Snai” mëngjesin e djeshëm kanë krijuar bastin mbi Mesin interist brenda 5 tetorit, që këtë vit shënon datën e fundit të seksionit të merkatos. Kuota është vërtet e ulët: kalimi i Leos tek Interi paguan 3,50, shenjë që për bastexhinjtë perspektiva e transferimit të argjentinasit në Milano nuk është vetëm një ide. Mjafton të mendohet që alternativat e tjera përtej qëndrimit te Barcelona kuotohen me numra më të lartë: PSG dhe Mançester Siti janë në 8,00, Liverpuli dhe Juventusi në 12, Junajtid dhe Bajerni i Mynihut në 15.
Përgatiti: LEDIO NASE