Mesazhi i fuqishëm i Ardit Gjebreas në “Kënga Magjike”
Pas përfundimit të performancës së kuartetit të vajzave Le Deva me këngën “GiuraGiuda”, që u përmbyll me një falenderim të tyrin në shqip, Ardit Gjebrea kthen vëmendjen drejt situatës që ka prekur Europën.
Duke iu referuar luftës në Ukrainë si një “oshëtimë”, të cilën popujt e tjerë të Europës e dëgjojnë vetëm nëpërmjet situatës së vështirësuar ekonomike, Gjebrea shpreh trishtimin e tij.
Sloganin e këtij viti i “Këngës Magjike”, “feel the energy”, moderatori e modifikon për të shprehur dëshirën e tij dhe për të përçuar një mesazh të fuqishëm.
Ardit Gjebrea: Nuk dua të sjell trishtim, por meqenëse ishim në kategorinë International, doja vetëm të ndaja disa fjalë si njeri. Vargu i trishtimit për disa vite u bë paksa i gjatë. Teksa ne shijojmë ditët, familjen, kohën dhe gjithçka që na ka falur Zoti, oshëtimën e një lufte në mes të Europës, e ndiejmë vetëm në ekonominë tonë. Por janë fëmijë, familje, qytete të tëra që kanë për tik-tak të kohës së tyre oshëtimën e raketave. Trishtim që viti 2022 sjell përsëri ulërima dhe makabritete sundimi. Nëse do doja një slogan për situatën në botë sot, me siguri do të ishte, “please, feel the God” (ju lutem, ndieni Zotin)./tvklan.al