Marrëdhënia ideale? Ndalni së kërkuari partnerin perfekt dhe filloni të fokusoheni në çfarë keni nevojë
Nuk besoj te shpirti binjak. Por kjo nuk do të thotë se s’besoj në dashurinë e vërtetë apo tek ideja se dy njerëz mund ta gjejnë njëri-tjetrin dhe të jenë realisht të lumtur së bashku për gjithë jetën. Ajo që hedh poshtë është besimi se gjendet vetëm një person në botë për ne dhe deri sa ta gjejmë atë person, jemi të dënuar në një jetë të vetmuar pa kurrfarë romance.
Ajo çka unë besoj, është pikërisht e kundërta. Në fakt, ka shumë njerëz me të cilët mund të kemi përvoja të kënaqshme, të cilat e mbushin marrëdhënien. Kur ne i limitojmë kërkimet tona për atë “perfektin”, nxisim një mendësi të përhershme “vitrine”. Veç kësaj ka shumë gjasa të heqim dorë nga ajo që mund të jetë marrëdhënia perfekte.
Për shekuj jemi ushqyer me përralla, të cilat na thonë se dashuria duhet të jetë e lehtë, në të kundërt nuk është dashuri. Në ditët e sotme, jemi më tepër të kurajuar të kërkojmë perfeksionin në kohën e rrjeteve sociale me anë të takimeve “online”, e cila na lejon të dërgojmë një set kriteresh jashtë hapësirës virtuale.
Sigurisht, takimet “online” mund të jenë një rrugë e mrekullueshme, me anë të secilës mund të takojmë njerëz, me të cilët mund të ndajmë lidhje reale. Gjithsesi, sipas një studimi të botuar nga “The Association for Psychological Science” (Shoqata për Shkencën Psikologjike), ky lloj takimesh gjithashtu mund të inkurajojë atë çfarë disa ekspertë kanë thënë “relationshopping”. Autorët e studimit paralajmërojnë se ky proces i zgjedhjes së partnerëve të mundshëm, i vë njerëzit në rrezik për të objektivizuar ata me të cilët supozohet se kërkojnë intimitet dhe afrimitet.
Ekziston rreziku se mos nxitoheni shumë duke hequr dorë ose kërkoni më pas sa andej-këtej për një partnere të mundshme, duke krijuar një cikël kërkimi të përhershëm dhe pakënaqësie kronike.
Çdo njeri që ka rënë në dashuri, me shumë gjasa e di se ajo që duket bukur në letër nuk është domosdoshmërisht ajo që i bën njerëzit e lumtur përgjatë rrugëtimit së bashku. Dhe është edhe më konfuze fakti se ajo që i tërheq njerëzit në fillim nuk është marrëdhënia afatgjatë. Por në vend që të na demoralizojë, këto realitete duhet të na motivojnë që të jemi më të hapur dhe të dëshirojmë që me të vërtetë ta njohim një njeri, para se t’i shkruajmë atij.
Gjithsesi, edhe gjatë javës së parë të takimit ose vitit të shtatë të martesës të gjitha marrëdhëniet pashmangshmërisht lipset “të arnohen”. Këto arna shpesh i çojnë njerëzit të largohen, në vend që të rrinë e të përpiqen për t’i zgjidhin ato.
Psikologu dhe autori Pat Love ka thënë se: “Nëse do të mund të bëja një ndryshim se si kultura perëndimore i sheh marrëdhëniet, do të ndryshoja perceptimin që pasioni është i barabartë me dashurinë”. Dashuria tregon se fazat fillestare të një marrëdhënie shpesh e lënë trurin të mbizotërohet nga molekulat “e lumturisë”, një reagim kimik që nxjerr në pah si tërheqjen emocionale ashtu dhe atë fizike. Me të rënë këto molekula, problemet dalin në sipërfaqe, të udhëhequra nga konflikti dhe ndonjëherë edhe ndarjet.
Edhe pse këto shkëndija fillestare mund të pakësohen, studimet e reja në neuroshkencë tregojnë se çiftet mund të qëndrojnë në marrëdhënie të gjatë dashurie, me trurin e tyre të ndezur edhe vite më vonë, në të njëjtën mënyrë si në fillimet e lidhjes. Ndoshta edhe më kuptimplotë se ana biologjike e gjërave është fakti se shumica e njerëzve, në faza të ndryshme janë të trembur nga intimiteti, edhe pse kjo frikë është e pavetëdijshme. Këto frikëra dalin në sipërfaqe gjithnjë e më shumë si ndjenja të thella dhe marrëdhënia bëhet më tepër serioze.
Dashuria e bën jetën me më shumë kuptim. Për pasojë, më të brishtë dhe në ankth nga frika e humbjes së saj. Dashuria është ndjenja më e vërtetë, kontradikton mendimet tona negative që, në fakt, sjellin shumë ankth duke na katapultuar në një krizë identiteti. Ndaj këshilla më e mirë është të gjeni një njeri që ju pëlqen me të vërtetë dhe investon në marrëdhënie.
Ndalni së kërkuari partnerin perfekt dhe filloni të fokusoheni në çfarë keni nevojë, në mënyrë që të përfitoni një romancë ideale.
Marrëdhënia është një nga makineritë më të mira për të zhvilluar vetveten. Është e vështirë të përballni frikën me intimitetin kur nuk jeni në një marrëdhënie intime. Ka shumë zgjedhje të papritura që mund t’ju bëjnë të lumtur, por që të bëni një marrëdhënie të funksionojë do të thotë të keni dëshirën të lidheni me dikë e më pas të shihni së brendshmi.
Ka shumë veprime që mund të ndërmerrni kur bëni këtë gjë. Së pari, ju mund të fokusoheni në sjelljet dhe ndjenjat tuaja. Nuk mund t’i kuptoni ndjenjat e një personi; ndjenjat tuaja i përgjigjen asaj çka provoni. Prandaj, ndjenjat tuaja janë ndoshta ato që ju bëjnë të ndiheni shumë mirë rreth të qenit në dashuri. Mund ta mbani gjallë aftësinë tuaj të dashurisë dhe të kujdeseni për personin tjerët duke ndërmarrë veprime që janë të ndjeshme, të këndshme dhe të dashura.
Studimet kanë arritur në përfundimin se, të marrësh pjesë në ndërveprime dhe të ndash përvoja, mund të ushqejë edhe më shumë ndjenjat. Me pak fjalë, mënyra se si veproni kundrejt një personi ndikon në faktin se si ndiheni për të. Kur vepron me dashuri, ndiheni në dashuri.
Natyrisht, ky udhëtim nuk është i thjeshtë. Marrëdhëniet rrallë janë të lehta, por gjithashtu ato nuk duhet të jenë as angari. Në fakt, duhet t’i konsideroni si një aventurë dhe njësoj sikur ngjisni një mal apo kaloni një oqean. Nuk duhet të presim xhiro të drejta e pa pengesa. Duhet të kujtojmë se çdo çift është i përbërë nga dy njerëz të pavarur me dy mendje sovrane. Kjo do të thotë që, ndonjëherë, të dy partnerët mund të shohin e të eksperimentojnë botën në mënyrë shumë të ndryshme. Do të ketë debate dhe kur të dalin në pah, ajo që ka më shumë rëndësi është aftësia jonë për të duruar në kohëra të vështira.
Në vend që të tërhiqemi që me pengesën e parë, mund të jemi të durueshëm. Mund t’u paraprijmë sfidave me një kombinim fuqie dhe brishtësie. Për të filluar këtë aventurë, duhet t’i hapim zemrën dhe mendjen personit tjetër. Natyrisht, disa lidhje janë më të forta dhe disa zgjedhje më ideale se sa të tjerat, por çdo dashuri mund të rritet kur jemi të hapur dhe kemi dëshirën për të eksploruar limitet tona dhe për të zhvilluar aftësinë e afërsisë dhe intimitetit.
Përgatiti: Manjola Ereqi