Markelian Kapedani: Martesa 10 vjeçare midis Italisë dhe Zvicrës me artisten Yama Jsmael
Të gjithë e kujtojmë kompozitorin shkodran më flokët e gjata, Markelian Kapedani, i cili bënte përshtypje në festivalet e Këngës në RTSH-së pas viteve ’90-të, jo vetëm për portretin e veçantë por edhe për kompozimet avanguarde. Tashmë ai jeton mes Italisë dhe Zvicrës dhe sapo ka festuar 47 vjetorin. Bashkëshortja e tij prej dhjetë vitesh Yama Jsmael, ka ndarë me miqtë në rrjetet sociale foton e tyre çift të shoqëruar me urimin: “Auguri amore, Markelian Kapidani!” Muzika mesa duket i ka njohur dhe bërë çift artistët, të cilët janë dhe partnerë edhe në profesion. Yama Jsmael është një këngëtare që njihet si organizatore e “Euphonia Jazz Group”. Në profilin e saj në facebook prezantohet si bashkëshortja e kompozitorit Kapidani, dhe se jeton në Lugano të Zvicrës. Sa i takon karrierës, Markeliani po punon për projektin “New European song book”. “Sikur këto vitet e fundit të mos kisha pasur qetësinë e duhur familjare, me siguri që nuk do të kisha mundur të realizoja muzikën. Ai thotë se bën një jetë që e quan “normale, të thjeshtë e të qetë”. Studion pianoforte dhe shkruan muzikë, ndërsa gjatë verës merret me koncerte dhe festivale Jazz. “Bashkëshortja ime mes punës së saj, merret edhe me rregullimin fiskal të koncerteve të mia. Me xhaz nuk fitohet ekonomikisht kushedi se çfarë, me Pop ose Rock do të kisha fituar jashtëzakonisht ma shumë”, është shprehur ai.
Jeta e vështirë që fshihej pas famës së tij në festivalet e RTSH-së
“Puna në RTSH më dha mundësinë të mësoja zanatin e muzikantit në studio, dhe më dha famën si artist”, ka treguar ai. Po ai ishte jeta e Markelian Kapedanit e bukur siç mund të dukej? “Isha i pastresë në Tiranë (ngaqë vija nga Shkodra) dhe shpesh herë më takonte të flija tek studioja e Radios,(aty ku punoja) ose të isha mysafir tek shoqëria e Tiranës; Arian Çuliqi, Leonard Bulku, Alban Emiri, Ardit Gjebrea, apo Osman Mula. Mund të them se jam BOHEMI I PARË (në konceptin francez të shprehjes) në Shqipëri. Ishte koha kur i isha afruar jashtëzakonisht rrezikshëm gotës së alkolit. E duke e parë këtë gjë, familja ime (kryesisht nëna Patricia) vendosën të transferoheshin nga Shkodra në Tiranë”. Markelian Kapidani ka lindur në 5 maj të vitit 1970 në qytetin e Shkodrës. Studenti i Çesk Zadesë u diplomua në vitin 1992, kur mori titullin Kompozitor”. Po në atë vit dha koncertin e parë Jazz në Shqipëri, në skenën e teatrit “Migjeni”, në Shkodër. Përveç familjes artisti veçon në intervistat e fundit faktin se: “Bibla më hapi një rrugë të re jete”.