Mariana Kondi tregon historinë, si e ngacmonte bashkëshorti kur ishin të rinj
“Do e kuptosh kur të rritesh!” Kjo ka qenë pergjigja që shumë nga femijët gjatë komunizmit merrnin nga prindërit e tyre. Mbi këtë pyetje ngrihet dhe “Stand Up Comedy” që interpretohet nga Mariana Kondi dhe Herion Mustafaraj me skenar të Erand Sojlit dhe regji të Elkjana Gjipalit. Ata tregojnë me humor dhe baza tragji-komike se si ka qenë fëmijëria e brezit të tyre, me çelës në qafë, tek lagja kur hanin bukë me ujë dhe me sheqer, ku tjetër gjë thuhej në ekran dhe lajme dhe tjetër ishte realiteti.
Mariana Kondi, Herion Mustafaraj, regjisorja Elkjana Gjipalidhe balerina Alba Hoxha, kanë qenë të ftuar tek emisionin i Rudinës në Tv Klan, ku kanë folur më shumë rreth këtij “Stand Up Comedy”. Mariana Kondi ka treguar disa situata mjaft komike që ajo i ka përjetuar në rininë e saj. Një ndër to ka qenë edhe mënyra si e ka ngacmuar bashkëshorti i saj kur kanë qenë të rinj.
“Në këtë bluzë shkruhet Sega la legna që unë nuk e kisha idenë se çfarë do të thotë, që do të thotë sharrojmë një drasë në italisht. Ne vajzat e rrugës së Durrësit nga Pallati i Kulturës deri në Korpusin Qëndror bënim atë xhiron e famshme, pastaj kur vinte koha e plazhit ishte akoma më bukur, nga Iliria deri tek Hekurudha bënim xhiro në darkë. Unë me një bluzë të tillë që e kisha marrë borxh që shkruheshe Sega la legna bëja xhiro dhe mezi prisja të shihja tim shoq, ta kisha përballë dhe t’i qeshnim njëri-tjetrit. Vetëm me atë të qeshur ne rrinim një muaj, kishim një kënaqësi të madhe, mjafton që më qeshi. Gjatë xhiros së bukur e kisha përballë dhe ai më thotë hajde sharrë hajde. Unë thashë uaa çfarë është kjo sharrë, e shoqja më thotë jo moj pale për çfarë e ka patur.
Ecëm sa ecëm dhe u kthyem dhe ishim prap përballë dhe më thotë prap wow çfarë sharre, hajde sharrë hajde dhe unë e zeza, po ky kujt i thotë sharrë! I thashë asaj shoqes me siguri ky nuk më do më. U trishtova dhe mërzita shumë. E ndoqa nga pas dhe përballë prap më thotë wee çfarë sharre. E unë i them ore ti kujt i thua sharrë, e më thotë asnjë njeriu. I them po ti po më drejtohesh mua, e më thotë po ti e ke të shkruar tek bluza. E ke gabim i them, këtë bluzë e veshin vetëm femrat e bukura dhe ika”, ka rrëfyer me humor Mariana Kondi. /tvklan.al