Loredana Zefi thyen heshtjen, sqaron të vërtetën e skemës së mashtrimeve
Reperja e njohur, Loredana Zefi, ashtu siç kishte paralajmëruar më herët ditën e sotme, ka dalë në një konferencë për media për të folur rreth çështjes së akuzës për mashtrim nga çifti zviceran. Loredana është shprehur se është e pafajshme, si dhe ka shtuar se çifti zviceran nuk ka bërë asgjë kundër dëshirës së tij, por i ka dhënë paratë me dëshirë të plotë. “Përshëndetje! Jam Loredana Zefi. Falemiderit që keni ardhur për të më dëgjuar.
Pika e parë që është shumë e rëndësishme: Jam këtu sepse do të xhiroj një spot që ishte planifikuar shumë më herët. Pas atyre që kam lexuar unë në media, mund të them që ato gjëra janë ndryshe, por unë s’kam ardhur të sqaroj atë. Më rëndësi është që ju, shteti shqiptar, gjerman dhe zviceran të dini se prej asnjë peroni nuk janë marrë paratë me dhunë, mashtrime e kërcënime. Këto pare, shumën nuk e di, janë marrë me vullnet të palës tjetër.
E dyta, kjo gjë ka filluar në 2016 dhe nuk dija gjë për këtë rast. Në vitin 2018, pjesëtarë të familjes Zefi më kanë treguar dhe ka qenë mundësia me mbyll këtë rast. Nuk e di çfarë është bërë, pse nuk është mbyllur ky rast, por unë në 2018 kur e kam marrë vesh këtë rast, kam dashur t’i ndihmoj, sepse familja ime është mbi të gjitha. Nuk më intereson media, muzika, kur është pyetja për familjen time. Do jem me familjen time në kohë të mirë dhe të vështira. Më besoni nuk janë këto gjëra të vërteta. Më besoni ose mos më besoni. Gjërat do të sqarohen. Është e vërtetë, kam dhënë deklaratë në polici dhe burri më ka pritur jashtë. Prokurori më ka lejuar të shkoj prapë në shtëpi dhe vazhdova jetën time”, ka rrëfyer Loredana gjatë konferencës. Madje edhe bashkëshorti i saj, reperi Mozzik u shpreh se është në mbështetje të Loredanës dhe u kërkoi të gjithëve të bënin durim që e vërteta të dalë në dritë. Ai është i bindur se ata janë në anën e drejtësisë./Gazeta Panorama