Liberta Spahiu ndryshon për Flori Mumajesin, mesazhet e koduara për lidhjen e trazuar

Që nga janari i këtij viti, kur kantautori i njohur Flori Mumajesi deklaroi hapur lidhjen me Liberta Spahiun, duket se këto tetë muaj e kanë ndryshuar moderatoren e “Prive”. Si kurrë me parë, Liberta e ka kthyer “Instagram”-in në një ditar dashurie për lidhjen që mund të konsiderohet “e trazuar” me muzikantin nga Tirana, që këtë vit festoi 36-vjetorin. Ndërkohë që për lidhjen e tyre përflitej që në prill të vitit 2017, çifti e zyrtarizoi historinë e fshehtë në mbrëmjen e fillimjanarit, kur Liberta festoi 33-vjetorin në club-in ku Flori kishte koncertin e radhës me djemtë e “Threedots”. Nuk mungoi një urim i përzemërt edhe nga ana e tij në ditëlindjen e Libertës, ashtu në sy të të gjithëve e në mes të koncertit. “Gëzuar ditëlindjen dhe jam me fat që të kam pranë!”, kujtohet të shprehej Mumajesi, ndërkohë që Liberta u pa të emocionohej nga dedikimi i tij. Video e këtij momenti u shpërnda në rrjetet sociale nga Alaudin Hamiti, gazetari i njohur i “NIN”, i cili është një nga miqtë më të ngushtë të Libertës. Ndërkohë që mediat e Kosovës po aludonin për këtë marrëdhënie nëse ishte dashuri apo thjesht miqësi, ishte vetë Liberta ajo që postoi një foto ku tregonte një unazë në gisht, që u tha se ishte dhuratë nga Flori. Por me kalimin e muajve, nuk u pa që Liberta ta mbante këtë unazë në gisht, sidomos në pushimet e saj verore në vende si: Spanja, Dubai apo Tanzania. Çdo ditë, Liberta bashkë me fotot seksi me bikini shkruante statuse të koduara ku shprehte gjendjen e saj shpirtërore. Në njërin prej tyre shkruante “U dogj loja”, ndërsa në një foto tjetër shkruante “E dehur jo, por e lagur”, që u komentua si një kunjë e saj për bashkëpunimin “Dashni me raki”, që Flori Mumajesi bëri me ish-të dashurin e saj Getoar Selimin. Ndërsa në një set tjetër ku shfaqet sensuale pa të brendshme poshtë një xhakete xhins, Liberta shkruante “Mendoj për ty gjithë kohën”. Kujtojmë që lidhja e Flori Mumajesit me Libertën nisi fill pas shkëputjes së tij nga Elvana Gjata, njëkohësisht ish-mikesha e ngushtë e moderatores së “Prive”. Kështu, në programin më të ndjekur të showbiz-it në “Klan Kosova”, Liberta e cila është jo vetëm moderatorja, por edhe producentja e programit, transmetoi një kronikë televizive ku analizonte në mënyrë të sofistikuar arsyen e kthimit të Elvanës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në terma të tjerë mund të konsiderohej një “zhgënjim” apo një “dështim” i saj në SHBA me klipin “Forever Is Over”, që sipas kronikës në fjalë nuk përmbushi pritshmëritë e vetë Elvanës në radhë të parë, pasi nuk mori klikimet e mjaftueshme për t’u konsideruar një sukses. Kujtojmë që para se Liberta të bëhej e dashura e Florit, ishte shoqja e Elvanës nga miku i përbashkët Valdrin Sahiti, të cilin e kanë ende një shok të përbashkët, edhe pse ato nuk kanë më komunikim me njëra-tjetrën.

Për lidhjen me Libertën, Flori la Tiranën për të nisur një jetë të re në Prishtinë ku në fillim u tha se bashkëjetonte me prezantuesen. Më vonë, në një nga rubrikat e emisionit “E diela shqitare” të Ardit Gjebresë, Flori tregoi se në atë shtëpi ai jetonte me djemtë e tjerë muzikantë të grupit “Threedots”. Ndërkohë, gjatë gjithë këtyre muajve ata nuk kanë postuar asnjë foto bashkë, po ashtu as paparazzët nuk kanë arritur t’i fotografojnë çift apo në shoqërinë e njerëzve të tjerë në eventet e Prishtinës./Panorama Plus