Leonardo DiCaprio nuk ndalet për Vjosën, bën sërish thirrje të shpallet Park Kombëtar

Leonardo DiCaprio nuk ka ndërmend të ndalet së luftuari për Vjosën tonë. Aktori hollivudian ka qenë një nga zërat më fuqishëm për mbrojtjen e lumit. Më herët ai publikoi në llogarinë e tij në Instagram një foto nga lumi Vjosa, ku njerëzit kishin shkruar me shkronja të mëdha pranë tij “Vjosa pa diga”.

Ndërkohë disa ditë më parë shpërndau një tjetër video, ku shfaqeshin pamje nga Tirana dhe Berlini, ku aktivistë të ndryshëm kërkuan në Ditën Botërore të Ujit që Vjosa të kthehet në Park Kombëtar.

DiCaprio ka bërë pak orë më parë një tjetër thirrje në Twitter, ku kërkon shpalljen e Vjosës si Park Kombëtar. Ai është shprehur se ky status ‘do ta mbrojë zonën nga digat dhe një kërcënim i ri si shpimet e naftës dhe gazit’.

46-vjeçari e shoqëroi postimin me një artikull të organizatës ‘Global Wildlife Conservation’ të shkruar nga gazetarja Gege Li, një biokimiste e cila prej vitesh shkruan për natyrën në revista shkencore si ‘New Scientist’ apo ‘Chemistry World Magazine’. Në artikull përmenden protestat e vazhdueshme nga shoqëria civile dhe angazhimet e aktivistëve mjedisor apo dhe komunitetit shkencor për ta shpallur Vjosën Park Kombëtar. /News31