Lamtumirë PSG. AFP zbulon të ardhmen e Messi-t, do paguhet 400 mln euro në vit

Lamtumirë PSG. Lionel Messi do të luaj në Arabinë Saudite sezonin e ri. Agjencia prestigjioze e lajme AFP, i referohet një burimi shumë pranë që po merret me negociatat e këtij transferimi të bujshëm tek Al-Hilal. Gjithnjë duke iu referuar këtij burimi, Messi do të nënshkruaj një kontratë të padëgjuar më parë, me shifra monstruoze.

Udhëtimi i tij për në Riyad pak ditë më parë ka qenë pikërisht për këtë qëllim, për të mbyllur marrëveshjen me klubin Al Hilal. Messi dhe sheikët arab kanë gjetur akordin total në çdo aspekt. Messi do të firmos një kontratë nga ku do të përfitojë afro 400 milionë euro në vit, dyfishi i asaj që përfiton Ronaldo te rivalët e Al Nassr.

Përballë një ofertë të tillë është dorëzuar edhe kampioni i botës, i cili në momentin që do të firmos do të shndërrohet në lojtarin më të paguar në botë. Messi në Arabi nuk do të jetë vetëm pasi sipas zërave që vijnë, këtë herë nga Spanja, në këtë aventurë do t’i bashkohen edhe dy miqtë të tij të vjetër, Sergio Busquest dhe Jordi Alba.