Lamtumira e fundit për Avni Mulën, homazhet në Universitetin e Arteve
Personalitetet shtetërore, artistike dhe miq e familjarë të shumtë i dhanë lamtumirën e fundit Artistit të Popullit dhe Nderit të Kombit, Avni Mulës, i cili ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 92-vjeçare.
“Zgjodhëm këtë vend sepse këtu filloi opera, këtu filloi arti lirik. Këtu është gjithë fabrika dhe uroj të vazhdojë përjetë fabrika e artistëve shqiptarë”, tha e bija, Inva Mula, gjithashtu, këngëtare lirike, me famë botërore.
Avni Mula që e nisi karrierën e tij artistike si tenor menjëherë pas diplomimit në Konservatorin Çajkovski të Moskës, u kthye në një artist që frymëzoi breza të tjerë artistësh.
Ndonëse, në fillim të punës së tij u njoh për prezantimin e klasikëve të operas si Rosini, Avni Mula mbetet artisti që i dhuroi shqiptarëve “Valsin e Lumturisë”. Avni Mula ia dedikoi jetën muzikës, por kontributi i tij shkruhet me nota muzikore edhe në familje.
Familja Mula është një nga familjet e mëdha të muzikës, ku të gjithë kultivoheshin me këtë frymë. Të gjithë në familjen Mula janë artistë: Avni Mula, Nina Mula dhe dy vajzat, Adelina Mula, pianiste dhe Inva Mula, me famë botërore.