Ky është filmi i propozuar për të përfaqësuar Shqipërinë në Oscars

“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” është filmi me skenar dhe regji nga Gentian Koçi, i cili është përzgjedhur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë për të qenë kandidat i Shqipërisë në edicionin e 95-të të Oscars.

Filmi, i cili është propozuar për t’u kandiduar në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”, është një bashkë-prodhim i “Artalb Film Productions” (Shqipëri), “Maria & Mayer” (Portugali), “Graal Films” (Greqi) dhe “Added Value Films” (Kosovë).

Fabula e filmit është kështu: Në Tiranën e sotme, Agimi dhe Gëzimi, dy vëllezër, binjakë identikë që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin, në të tridhjetat e tyre, jetojnë nën të njëjtën çati. Ana, e dashura e Gëzimit, një vajzë rreth të tridhjetave, i viziton ata shumë shpesh. Një mbrëmje, Agimi në timon po kthehet në shtëpi bashkë me Gëzimin, kur papritur shikimi i tij turbullohet. Për pak sa nuk ndodhi një aksident fatal. Tek okulisti, disa ditë më vonë, dy vëllezërit zbulojnë se për shkak të një sëmundjeje të rrallë gjenetike ata do të verbohen në mënyrë progresive dhe të pakthyeshme.

Në role kryesore janë vëllezërit portugezë Rafael dhe Edgar Morais dhe aktorja shqiptare Drita Kabashi.

“Historia është një dramë e fortë ekzistenciale me një sfond social mbi dy vëllezër binjakë identikë që përballen me zgjedhjet e tyre të kufizuara të jetës,” është shprehur regjisori Gentian Koçi.

“Ndihem i sfiduar nga ideja për të bërë një film që trajton pyetjet themelore: Çfarë ndodh me një qenie njerëzore kur ai/ajo është plotësisht i zhytur në errësirë, duke mos qenë në gjendje të komunikojë me të tjerët dhe botën? Çfarë ndodh me një qenie njerëzore kur të gjitha dritaret e perceptimit janë të rrethuara në mënyrë të pakthyeshme?” shton ai.

Premiera e filmit pritet të jepet në nëntor.

Anabelmagazine