“Ku ishte United, po Juventus para 15 vjetësh?”, Ceferin paralajmëron Super League: “Jeni në kohë të ndryshoni mendje”

“Futbolli nuk i përket askujt. Ose më saktë, i përket të gjithëve, sepse futbolli është pjesë e trashëgimisë sonë. Respekt për historinë. Respekt për traditën. Respekt për të tjerët. Kjo do të thotë diçka.”

Siç pritej, pas sulmeve të ashpra të djeshme, edhe fjalimi i gjatë i hapjes nga Presidenti i Uefa Aleksander Ceferin në Kongresin e Montreux rezultoi në një seri sulmesh ndaj klubeve themeluese të Super League, që megjithatë i shtriu dorën rebelëve: “Jeni në kohë të ndryshoni mendje”.

“Në këtë pikë, unë do të doja t’u drejtohesha presidentëve të disa klubeve, kryesisht angleze – ishin fjalët e numrit një të Uefa – zotërinj, ju keni bërë një gabim të madh. Disa mund të thonë se është lakmi, injorancë ose dicka tjetër, por kjo nuk ka rëndësi, ju jeni ende në kohë për të ndryshuar mendjen tuaj. Të gjithë bëjnë gabime “.

“Klubet e mëdha të sotme nuk ishin domosdoshmërisht klube të mëdha në të kaluarën dhe nuk ka asnjë garanci se ata do të bëhen klube të mëdha në të ardhmen,” shpjegoi Ceferin. “Futbolli është dinamik, i paparashikueshëm. Kjo është ajo që e bën atë një lojë kaq të mrekullueshme. Klubet që mendojnë se janë të shkëlqyer dhe të paprekshëm sot, duhet të kujtojnë nga vijnë. Dhe ata duhet të kuptojnë se, nëse janë të mëdhenj në Europë sot, kjo është pjesërisht falë UEFA”, shtoi ai, duke shigjetuar edhe njëherë presidentin e Juventus, Andrea Agnelli: “Ku ishte Manchester United para ardhjes së sir Alex? E kujtoni? E ku ishte Juventus 15 vjet më parë? Besoj që shumë e dinë, në Serie B”.

“Me Super League ata po përpiqen të privatizojnë futbollin. Por ne jemi gati, i prisnim edhe pse nuk e dinim kur do të mbërrinin. Qeveritë, tifozët, media janë me ne. A do ta lëmë ta marrin futbollin? Jo, më besoni, është një ndeshje që nuk mund ta humbasim”, përfundoi presidenti i UEFA-s.