Kristi Pinderi: Historia e gej-it që vari veten në Tiranë, djalin e keni parë në filmin… (video)

Kristi Pinderi, një nga drejtuesit e LGBTI-së në Shqipëri, ndërkohë që ndodhet në Kanada ka njoftuar me anë të një rrëfimi, vetëvrasjesjen e një aktivisti gej në Tiranë. Më poshtë Story.al ju sjell rrëfimin e plotë të tij: “Javën që shkoi, M.*, një pjesëtar i komunitetit LGBTI në Tiranë vrau veten. Ishte e ëma ajo që e gjeti të vetëvarur në dhomën e tij. Një ditë më parë, siç tregojnë miqtë e ngushtë, kishte dalë me ta dhe nuk u kishte dhënë të kuptonin se diçka nuk shkonte.

Asgjë nuk kishin kuptuar as familjarët. Me këta të fundit nuk i kishte patur gjithmonë mirë marrëdhëniet. Në një dokumentar me metrazh të shkurtër që realizuam në vitin 2012, ku personazhet flisnin me zë e imazh të mbuluar, M. na kishte treguar si vëllai i kishte gjetur facebook-un hapur, i kishte lexuar mesazhet e të dashurit dhe pas kësaj asgjë nuk ishte si më parë. Ofendimet e tipit “b..q..” jo pak herë përfundonin në grushta e shkelma brenda mureve të shtëpisë, episode këto që në disa raste e kishin detyruar M. të ikte nga shtëpia e nëse nuk gjente dot dikë që ta ndihmonte, të flinte rrugëve. Por unë atë do e mbaj mend për diçka tjetër. Pa e ditur as ai vetë, ka hyrë në historinë e lëvizjes për të drejtat e LGBTI në Shqipëri kur një ditë me shi të rrëmbyer, në maj te vitit 2012, ai bashkë me ne u bë pjesë e një grupi prej vetëm 9 vetësh që dolëm në paradën e parë me biçikleta në Tiranë. Ai sfidoi me kurajo një mal historik me paragjykime për t’u ndjerë i lirë, qoftë dhe për disa minuta. Kërkon guxim dhe forcë të madhe karakteri diçka e tillë edhe sot, në vitin 2018. M. e kishte guximin dhe ishte një djalë i fortë i cili i përballonte i vetëm vështirësitë: varfërinë, duke punuar atëherë kur moshatarët e tij endeshin pa interes për punë rrugëve të ish-bllokut; fyerjet e familjarëve apo të kujtdo që për shkak të mendjengushtësisë nuk mund të kuptonte dhe të pranonte orientimin e tij seksual, i përballonte duke ruajtur me fanatizëm të drejtën e tij për të qenë i lirë, njësoj si atë ditë maji të vitit 2012. Ndonëse vetvrasja është një akt iracional dhe nuk mund ta shpjegosh dot me common sense, gjithë këto ditë jam përpjekur të kuptoj se pse ky djalë kurajoz, i ri, i bukur dhe plot energji, pasi përballoi gjithçka edhe gjithkënd, u dorëzua në fund?!

Familjet tona na kanë lënduar, ja pse Gej-it dhe lesbiket gjejnë shpëtim tek vetëvrasja

Çështja e mirëqenies psiko-sociale të personave LGBTI është si një elefant i heshtur në një dhomë, ku të gjithë bëjnë sikur nuk është aty dhe përpiqen ta injorojnë. Nuk mund të rrimë më duke heshtur dhe duhet gradualisht të fillojmë të flasim e të kujdesemi për njëri tjetrin. Shifrat, aty ku ka, janë alarmante. Personat e komunitetit LGBT që jetojnë në shoqëri heterocentrike janë 3 herë më të ekspozuar ndaj mendimit të vetvrasjes. Dimë gjithashtu se nuk është të qenurit LGBT që të ekspozon më shumë ndaj vetëvrasjes, por është diskriminimi, refuzimi, frika, ngacmimet dhe bullizmi në shoqëri, në familje dhe në shkolla që krijojnë një ambient jo mbështetës dhe rrisin rrezikun e mendimeve vetëvrasëse. Studimet tregojnë se më shumë se 60% e të rinjve LGBT në Evropë (në Shqipëri shifra është mbi 90 përqind) përjetojnë episode negative të përsëritura që lidhen me bulizmin, veçimin, dhunën verbale dhe fizike në shkolla. Më shumë se gjysma e personave LGBT janë viktima të diskriminimit dhe paragjykimeve brenda familjes shpesh në formën e dhunës, dëbimit dhe refuzimeve nga pjesëtarët e familjes. Të rinjtë LGBT të refuzuar nga familja, janë 9 herë më të ekspozuar ndaj mendimeve vetëvrasëse. Një në tre persona LGBT në Evropë përjeton diskriminim dhe refuzim edhe nga grupet e vogla shoqërore kur vendos të dalë hapur, duke humbur lidhjet dhe duke u refuzuar nga miqtë. Beteja për të krijuar një vend të sigurt për të gjithë, pavarësisht orientimit seksual dhe identitetit gjinor është një betejë për të gjithë jo vetëm për ne personat LGBTI. Por ne ama, anëtarët e komunitetit LGBTI, mund të bëjmë diçka që të tjerët nuk e bëjnë dot. Ashtu siç kemi treguar në histori, sidomos në vende ku kjo ka qenë e lehtë të dokumentohet, ne mund ta konsiderojmë njëri- tjetrin, si pjesë të një familje të madhe. Jo pak herë kur familjet tona na kanë lënduar, ne kemi gjetur ngrohtësi tek vëllezërit dhe motrat e komunitetit. Kur shtëpia na ka përzënë, shtëpi na janë bërë shokët e shoqet e komunitetit. Kur të gjithë kanë dashur të na izolojnë me përçmimin e tyre, ne kemi mundur të jetojmë të lumtur duke gjetur njëri tjetrin. Kur na kanë dhunuar, jemi mbrojtur më mirë bashkë. Kur na kanë fyer, kemi ditur të jemi më të fortë, sepse kemi patur njëri tjetrin. Fuqia e solidaritetit tonë vëllazëror i tejkalon paragjykimet dhe vështirësitë titanike që na është dashur të përballojmë në jetë. Kemi humbur shumë vëllezër e motra ndaj nuk bën të humbim asnjë tjetër, as edhe një tjetër. Ndihem në faj që nuk munda të bëj dot më shumë që M. të mos refuzonte të kishte shpresë për të ardhmen. Për këtë arsye kujtimi i tij do të më përndjekë gjatë e nuk do të më ikë kollaj nga kujtesa. Njësoj si buzëqeshja e tij plot jetë atë ditë me shi në maj të vitit 2012, atë ditë kur ai, pa e kuptuar, e bëri Shqipërinë një vend më të mire, një vend që megjithatë, nuk diti t’ia kthejë këtë të mirë.