Kledi Kadiu rrëfen jetën si baba: Më parë e bëja jetën siç doja unë, sot ka ndryshuar gjithçka
Ai është një nga balerinët më të suksesshëm shqiptarë në Itali. Fjala është për Kledi Kadiun, artistin që së fundi po shijon statusin e babait të një vajze. Karriera dhe jeta e tij është shumë frymëzuese dhe motivuese për shqiptarët, ndaj ai është gjithmonë i hapur për intervista të ndryshme. Kështu në një lidhje telefonike në emisionin e mëngjesit “Wake Up” në “Top Channel”, Kledi rrëfeu se si ka ndryshuar jeta e tij me ardhjen në jetë të vajzës, dhe shtimin e angazhimeve profesionale. “Jeta ime ka ndryshuar 100 për qind. Më parë e jetoja jetën siç doja unë, ndërsa sot ka ndryshuar. Zgjimi bëhet në 06: 30. Si fillim çojmë vajzën në kopësht, pastaj unë shkoj në shkollën time të baletit, bëj stërvitje por jam i zënë me mësimet në shkollat e baletit. Kam pasur një projekt me Maria De Filippin, dhe tani jam rikthyer atje sërish. Është një emision që më ka dhënë dhe vazhdon të më japë shumë kënaqësi, kontakte me njerëzit, ndaj më vjen shumë mirë që po rikthehem”, tregoi Kledi. Gjatë intervistës ndodhi diçka shumë e këndshme, pasi rrëfimin e balerinit e ndërpreu vajza e tij e vogël, e cila do të ikte për në kopësht dhe nuk mund të largohej pa rrëmbyer puthjen e babit. Ndërkohë moderatorët në studio dhe shqiptarët morën një përshëndetje, edhe nga bashkëshortja e tij, Charlotte Lazari.