Këngëtarja thotë se Beyoncé i vodhi këngën: Si qëndron e vërteta?

Këngëtarja Kelis Rogers-Mora, e njohur si Kelis, tha se ajo nuk ishte vënë në dijeni se muzika e saj do të vendosej në albumin e ri të Beyoncé-s, “Renaissance”.

“Jam e befasuar sepse niveli i mungesës së respektit dhe injorancës së plotë të të tre palëve të përfshira është befasues. E kam dëgjuar këngën në të njëjtën mënyrë si të gjithë të tjerët. Asgjë nuk është kurrë siç duket, disa nga njerëzit në këtë biznes nuk kanë shpirt apo integritet dhe i kanë mashtruar të gjithë,” shkroi ajo në komente në Instagram.

Në një koment të mëvonshëm, Kelis shtoi, “nuk është një bashkëpunim, është vjedhje”. Ajo pretendon se Beyoncé ka përdorur një sample të këngës së saj “Milkshake” në këngën “Energy”.

Në muzikë, sample i referohet ripërdorimit të një regjistrimi zanor në një regjistrim tjetër. Publikimi i krediteve të këngës “Energy” zbuloi se nuk bëhet fjalë për sample, por interpolation, që i referohet përdorimit të një melodie – ose pjesëve të një melodie – nga një këngë e regjistruar më parë, po e regjistruar sërish në vend të përdorimit si sample.

“Milkshake” është zyrtarisht një këngë e Kelis, mirëpo ajo nuk renditet si producente, kompozitore apo tekstshkruese e saj. Producentët e këngës janë Chad Hugo, Pharrell Williams, Rob Walker dhe Neptunes. Përveç kësaj, Hugo dhe Williams janë kompozitorët dhe tekstshkruesit e “Milkshake”. Kelis përmendet në kreditet e këngës së Beyoncé-s si interpretuesja e këngës.

Anabelmagazine