Këngëtarja akuza të rënda ndaj Taynës: Më mori të dashurin dhe më bllokoi të gjitha koncertet- FOTOT

Kur reperja shqiptare, Doruntina Shala (Tayna), lançoi këngën e saj të dashurisë “Sicko”, të shkruar nga vetë ajo, rivalja e saj Arta Memedi hodhi dyshime se ky ishte një dedikim personal.

Arta e akuzoi Taynën se i kishte marrë të dashurin, Rinor Hykollin, i cili u bë menaxheri i Taynës kur ata ishin në një lidhje. Titulli i këngës mendohet të jetë një pseudonim që ajo i ka vendosur të dashurit të saj.

“Ti je drita jem, kur në jetë gjithka o’ terr”, është një pjesë e tekstit, që të shtyn edhe më shumë të mendosh se për shkrimin e kësaj kënge Tayna është ndikuar nga ndjenjat e saj për partnerin e përfolur. Ndërkohë, pak kohë më parë, në emisionin “Thumb’”, rivalja e saj Arta Memedi tha se partneri i Taynës është ish-i i saj, Rinor Hykolli, dhe se Tayna ia dedikonte atij këngët e dashurisë.

Arta, e pyetur në intervistën e saj, u shpreh se Rinori e ka tradhtuar atë me Taynën, në kohën kur u bë menaxheri i artistes.

“Mendoj se iniciatori mund të jetë edhe Rinori, për shkak se pas ndarjes sonë ka tentuar me u bashku, ka bërë tentativat e veta me mua. Por unë jam larguar sepse nuk mund të vazhdoja, kur njeriu me të cilin unë kam punuar i ka dhënë hapësirë dikujt tjetër. Rinori më ka tradhtuar nga ana profesionale dhe personale me Taynën. Meshkujt, ndodh tradhtojnë, por tradhtia nga ana profesionale më ka prekur më shumë”, u shpreh këngëtarja maqedonase Arta Memedi.

Kjo nuk ishte hera e parë që Arta, kur është pyetur në intervistat e saj ka thënë se Rinori e ka tradhtuar atë me Taynën, në kohën kur u bë menaxheri i artistes. Dhe “lufta e ftohtë” në distancë që Arta i ka shpallur Taynës nuk mbeti me kaq.

Arta Memedi ka shpërthyer sërish kundër këngëtares këtë javë. E ftuar në emisionin “Vizioni i Pasdites”, ajo ka vijuar më tej me sulmet, duke e quajtur këngëtaren “thjesht një kukull”, një koment ky pas këngës “Shote Galica”, e konsideruar si diss për Taynën.

“Thonë që kur Titaniku është fundosur, është harruar. Ndodhin këto gjëra në karrierë. Nuk ka qenë një përleshje me të, por më shumë një problem ndërmjet nesh, që ka ndodhur me menaxherin e saj. Ajo më është dukur si një kukull, që e kanë nxjerrë në teatër dhe e kanë bërë farë, e kanë urdhëruar ata, nuk e marr shumë personalisht. Kënga ‘Shote Galica’ është një këngë si kundërpërgjigje, për shkak se kam qenë shumë e bllokume me koncerte, pasi kemi pasur edhe probleme personale dhe është përfshirë me punën e biznesit. Nëse dikush ta merr bukën e gojës, normale që ti reagon dhe reagimi im ka qenë në atë aspekt”, u shpreh Arta Memedi.

Për sa u përket marrëdhënieve me ish-të dashurin, Rinorin, tashmë menaxheri i këngëtares Tayna, Arta Memedi u përgjigj duke qeshur: “Mirë jemi, ashtu”. Këngëtarja njoftoi gjithashtu për fansat e saj se së shpejti do të vijë me një këngë të re, me titullin “Problem”. Kujtojmë që Tayna është reperja 23- vjeçare nga Prizreni, e cila e arriti famën në mënyrë shumë të shpejtë, me një këngë të vetme.

Kujtojmë që ajo kishte bërë disa këngë vite më parë, por në morinë e gjithë atyre këngëtarëve aq të suksesshëm të Kosovës, asnjë nuk kishte arritur ta spikaste talentin e Taynës, me emrin e vërtetë Doruntina Shala, dhe me origjinë nga Prizreni. Nuk kishte as ndonjë pamje që të të linte përshtypje, gjithçka brenda së zakonshmes. Por u desh kënga “Columbiana” dhe me siguri një menaxher i zoti për t’i treguar rrugën e suksesit dhe Tayna u bë kështu menjëherë e famshme.

Që atëherë ka kaluar shumë pak kohë dhe ajo është sot super e kërkuar në koncerte, ndërkohë që çdo këngë që pulbikon, bëhet hit. Ka pasur disa kunja dhe ironi nga ndonjë koleg i saj, duke theksuar faktin se fama që vjen shpejt, ikën po aq shpejt, por ajo s’ka replikuar.

Vitin e kaluar, Tayna & Dafina Zeqiri publikuan videoklipin “By Bye” e më pas “Sicko”.

Ndërsa këtë fillimvit, Tayna me Mozzik publikuan videoklipin “Edhe ti”. Ndërsa Arta Memedi, e rritur me pianon, ka hyrë në muzikë që në moshën 12- vjeçare. Në vitin 2013, Arta ishte pjesëmarrëse në edicionin e 3-të të “The Voice Of Albania”. Ajo ka publikuar disa këngë, por u komentua më shumë vjeshtën e kaluar për klipin “Shote Galica”, një diss i hapur për rivalen e saj në dashuri dhe profesion, Taynën.

/Panoramaplus.al