“Kënga Magjike 2021” ‘ndërron stacion’ pas 22 vitesh! Ja artistët e rinj që morën statusin “Big”

Mbrëmjen e djeshme u transmetua nata e parë gjysmëfinale e edicionit të 22-të të “Kënga Magjike”.

Të dielën e kaluar u mbyll prezantimi i të gjitha këngëve pjesëmarrëse me artistët e fundit “Big” dhe “New Artist”.

Për vite me radhë, festivali i “Këngës Magjike” është organizuar në Pallatin e Kongreseve, por këtë vit pandemia solli disa ndryshime.

“Pandemia fiku dritat e botës”,- tha producenti Ardit Gjebrea sapo hapi mbrëmjen e djeshme të festivalit, duke shtuar se “Kënga Magjike” do të zhvillohet kësaj here në një tjetër shtëpi të ëmbël, në Tv Klan.

“Pas 22-vitesh, sonte ndërrojmë destinacion. Është e trishtueshme të shohësh dritat e shtëpisë fikur, sepse ky pallat ka qenë dhe është shtëpia jonë magjike, por pandemia fiku dritat e botës, por mbi ne rrjedhimisht na mbylli derën e kësaj shtëpie përkohësisht, por ne kemi tjetër shtëpi, të ëmblën shtëpi. Drejt Tv Klan të lutem”,- u shpreh ai.

Në krah të Ardit Gjebreas këtë edicion është këngëtarja Marsela Çibukaj. Ajo tha se me prezantimin e “Këngës Magjike” i realizohet një ëndërr shumë e madhe.

Në skenë u ngjitën mbrëmë tetë këngëtarët e rinj, por jo të gjithë arritën të kalonin në kategorinë e artistëve “Big”.

Martina Sereqi, Andrea Vathaj, Kras, Urban Band dhe Niki, ishin artistët e rinj që arritën të merrnin votën e jurisë, pjesë e së cilës janë Jonida Maliqi, Markelian Kapidani, Enkel Demi, Arben Skënderi dhe Kozeta Kurti.

Më herët, Gjebrea ka njoftuar se këtë vit artistët fitues të “Kënga Magjike” do të shpërblehen me shuma monetare, në shenjë mirënjohjeje.