“K’cimi i Tropojës”, tashmë një pasuri e UNESCO-s: Ja ç’do të thotë kjo për kulturën shqiptare

Këngët e vallet shqiptare janë lartësuar sërish në sytë e botës.

Pas vlerësimit të lartë nga UNESCO, vallja tradicionale ”K’cimi i Tropojës” është tani pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.

Dokumentimi dhe plotësimi i dosjes për të arritur kriteret e kërkuara ka përfshirë hulumtime në terren, krijimin e një përshkrimi të detajuar të elementit, mbledhjen e materialeve arkivore dhe dëshmive nga komuniteti.

Ky vlerësim është mjaft i çmuar, pasi jo vetëm që promovon këtë kërcim tradicional shqiptar, por siguron që ai do të “rrojë” mes brezash.

“K’cimi i Tropojës”, i njohur gjithashtu si “K’cim Veni”, është një vallëzim festiv që është trashëguar brez pas brezi, duke mos humbur origjinalitetin e tij. Ai përfshin elementë të artit performues, traditave gojore, ritualeve dhe ngjarjeve festive. Përgjatë viteve, kjo traditë ka mbetur një simbol i identitetit dhe bashkimit për banorët e Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës.

Çfarë është “K’cimi i Tropojës”?

E njohur gjithashtu si “K’cim Veni”, kjo valle është shumë më tepër se një traditë: është një festë e gjallë që ka kaluar brez pas brezi, duke ruajtur energjinë dhe identitetin e Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës. Me lëvizje ritmike që shoqërohen nga tingujt e tupanëve, çiftelive dhe fyellit, kjo valle është simbol i gëzimit dhe bashkimit. Në çdo performancë, veshjet tradicionale dhe shamia e kuqe apo e verdhë, janë një kujtesë e rrënjëve tona të thella kulturore.

“K’cimi i Tropojës” është pjesë e ceremonive më të rëndësishme të jetës shqiptare, nga dasmat te festat lokale, por nuk ndalet këtu. Ajo transmetohet me pasion nga një brez në tjetrin, duke u mësuar edhe në shkolla. Ky vendim i UNESCO-s është një garanci që kjo traditë do të mbetet gjallë, e ruajtur dhe e promovuar edhe për brezat që do të vijnë.

Si arriti K’cimi në UNESCO?

Ky sukses nuk ka ardhur rastësisht. Në qendër të kësaj arritjeje qëndron puna e Shoqatës “Kërcimi i Tropojës”, Bashkisë Tropojë dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Me mbështetjen e fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), është përgatitur një dosje e detajuar, që përfshiu kërkime në terren, materiale arkivore dhe dëshmi të komunitetit lokal.

Ky vlerësim ndërkombëtar i jep kulturës shqiptare një tjetër dimension, duke e bërë Tropojën dhe artin e saj të njohur në mbarë botën. Me këtë hap, “K’cimi i Tropojës” nuk është më thjesht një traditë shqiptare – është një trashëgimi për të gjithë njerëzimin.

Anabelmagazine