“Ju lutem, nuk marr dot frymë”, del videoja e afro-amerikanit që u përgjërohet policëve ta lëshojnë
Një video e publikuar së fundmi tregon sesi tre oficerë të policisë në Minneapolis mbajnë për toke George Floyd-in i cili humbi jetën më vonë.
Pamjet, e filmuara nga një kalimtar i rastit, tregojnë në një kënd ndryshe nga videoja e shpërndarë gjerësisht nga dita kur ndodhi ngjarja. Në pamjet në fjalë, Floyd mund të dëgjohet teksa u thotë oficerëve të policisë se nuk po arrin që të marrë frymë.
“Ju lutem, ju lutem, më lini që të çohem,” dëgjohet teksa përgjërohet Floyd ndërsa policët qëndrojnë sipër tij duke e mbajtur shtrirë në tokë.
Një oficer i policisë, i cili besohet të jetë Derek Chauvin, më pas i thotë personit që po filmon që duhet të lëvizë në krahun tjetër të rrugës, ndërsa Floyd thërret që të lirohet.
“Ju lutem, nuk marr dot frymë”, vazhdon më tej viktima. “Më dhemb stomaku. Më dhemb shpina. Ju lutem, ju lutem. Nuk marr dot frymë.”
Një raport autopise për shkaqet e vdekjes nuk është bërë publik ende, por departamenti i zjarrit ka deklaruar se Floyd nuk kishte puls në ambulancë dhe se ishte pandjenja. /abcnews.al/