Jonida Maliqi e pret “Shën Valentinin” pa Romeon, si mori fund në heshtje “Love story” me aktorin e humorit pas dy vitesh
Pas dy vitesh histori dashurie, sa pasionante, po aq edhe intensive, këngëtarja e njohur Jonida Maliqi duket se e ka mbyllur në heshtje romancën me aktorin e humorit, Romeo Veshaj.
Artisten e ka gjetur Shën Valentini sotme statusin “single”, pasi miq të afërt kanë deklaruar se ata janë distancuar nga njëri-tjetri që para ndërrimit të viteve.
Në emisionin e saj festiv, Jonida, duke festuar me mikeshat e ftuara për darkë, la të nënkuptohej diçka rreth statusit të saj. Por më saktësisht ajo duket se ka dhënë një mesazh pak ditë më parë në programin e saj “Jonida’s Room”, ku kishte të ftuar këngëtaren Eranda Libohova. Si me të qeshur, Jonida Maliqi dhe Eranda Libohova na treguan se “Shën Valentinin” do ta kalojnë vetëm.
Programi i saj, për stilin e jetës, shfaqet në të njëjtin televizion ku Romeo dhe binjaku i tij, Donaldi, bëjnë show-n e tyre, që do të thotë se ata janë kolegë, dhe pse jo mund të shkëmbehen ndonjëherë në dhomën e grimit apo shkallët e televizionit. Në këtë puntatë të së shtunës, ndryshe nga herët e tjera, e ftuara e Jonidës, Eranda Libohova, fjeti dhe u zgjua me Jonidën për të shijuar edhe mëngjesin së bashku.
Më pas vendosën që bisedën ta vazhdonin në makinë për të shkuar drejt studios, por sigurisht që muzika dhe batutat do t’i shoqëronin edhe aty. Artistet dhe mikeshat prekën pak edhe temën e “zemrës”, teksa po këndonin dhe vunë një bast.
Eranda humbi bastin sepse nuk e mbante mend që Jonida kishte kënduar këngën e saj dhe të Irmës, “Ndodh në jetë” me Kujtim Prodanin, dhe për këtë duhet të paguajë darkën me mikeshat e tjera këngëtare. Festa më e afërt është dita e të dashuruarve “Shën Valentini” dhe vajzat zgjodhën pikërisht këtë ditë për darkën. “Për Shën Valentin, patjetër.
Të gjitha ne vajzat e dashuruara do mblidhemi për Shën Valentin, të dashuruara me jetën e të lira”, tha Eranda duke qeshur. Ndërkohë, Jonida shtoi: “Të dashuruara me jetën e tyre, të dashuruara me vetveten”.
E kështu, me dashje apo jo, Eranda dhe Jonida zbuluan që dita e të dashuruarve do t’i gjejë pa dikë në krah, por të dashuruara më shumë se kurrë me personin që çdo vajzë duhet të dojë më shumë: vetveten. Po le të ndalemi te protagonistja e këtij artikulli, Jonida, dhe historia e saj. Burime pranë çiftit kanë treguar se nuk ka pasur një arsye konkrete për shkëputjen nga njëri-tjetri, thjesht një distancim që ka ardhur natyrshëm, që do të thotë se mes tyre s’ka inate, aq sa të heqin njëri-tjetrin nga “Instagram”-i.
Pra, deri tani ata e ndjekin njëritjetrin. Ndërkohë, në lidhje me marrëdhënien e tyre këto kohët e fundit, në nëntor Romeo foli te “Shiko kush Luan” për marrëdhënien e tyre, ndërsa Jonida më vonë, gjatë një interviste dhënë Ardit Gjebresë, rrëfeu divorcin si vendimin më të vështirë të jetës.
Ndërsa në lidhje me romancën e re pa përmendur emrin e personit, Jonida u shpreh: “Unë kam nevojë për të pasur një mashkull në krah. Do doja të kisha një shtyllë ku të mbështetesha, do doja të kisha një përqafim të ngrohtë. Dua të jap shumë dashuri dhe të marr shumë dashuri, sepse dashuria të jep më shumë dashuri dhe të bën njeri më të mirë. Nuk i them kurrë jo dashurisë. Dashuria tek unë tani është, por dua të tregohem shumë e kujdesshme, sepse nuk dua të lëndoj askënd, dhe sepse nuk jam më 17 vjeç”.
Kjo deklaratë lë të kuptohet se tashmë Jonida vendos edhe logjikën në punë, për të marrë vendimet e duhura për të ardhmen. Kjo deklaratë e saj, erdhi pasi urimit publik për ditëlindje që i bëri Romeos dhe binjakut të tij në fillim të shtatorit, festë pas së cilës nuk pati më postime dashurie në çift. Ndërkohë, Romeo i ka hequr fotot e tyre në çift nga “Instagrami”, por pa dhënë asnjë deklaratë apo koment në ndonjë media se ç’ndodhi mes tyre.
Kujtojmë që gjatë karantinës ata patën një ribashkim të bukur, pas ndarjes në vjeshtën e 2019- ës. Romeo Veshaj dhe Jonida Maliqi u kthyen gjatë verës që lamë pas në një ndër çiftet më të dashura dhe të komentuara të showbizit shqiptar. Pasi konfirmuan lidhjen e tyre, këngëtarja dhe aktori postonin shpesh video e foto me njëri-tjetrin, ku nuk mungonin dedikimet romantike, duke fituar zemrat e fansave, të cilët nuk ndalen së bëri postime për “çiftin ideal”.
“Kur ti buzëqesh, buzëqesh edhe unë … Kështu funksionon”, shkroi Romeo Veshaj krahas disa fotove me Jonida Maliqin, ku teksa e shikonte sytë i bënin zemra, ndërsa lumturia e të dyve nuk mund të fshihej.
“Ne qeshim e qajmë bashkë, o zemër”, i komentoi këngëtarja, duke i shprehur kështu dashurinë publikisht. Më pas, e emocionuar nga përkrahja dhe dashamirësia e ndjekësve, Jonida publikoi një video ku u shprehte të gjithëve mirënjohjen për mënyrën pozitive, me të cilën po e shohin lidhjen e saj me aktorin e humorit, Romeo Veshaj.
Duket se kjo histori e bukur dashurie, me shumë net të bukura romantike në plazhet e jugut, kishte marrë edhe miratimin e mamasë së Jonidës, Artës. Tashmë një personazh më vete, pasi bie në sy për tipin e veçantë e të drejtpërdrejtë që ka, Arta njihet po ashtu njësoj nga fansat e Jonidës. Asaj duket se i kishte hyrë në zemër Romeo si partneri i vajzës, pasi e ndjek në “Instagram”, ndërkohë që flitet se nuk mungojnë rastet kur dhe ajo është prezente me çiftin.
Pikërisht në verë, aktori dhe këngëtarja e njohur dolën hapur dhe nuk e fshihnin dashurinë që ndienin për njëri-tjetrin. Ata postonin gjatë gjithë kohës foto së bashku dhe janë të pandashëm. Romeo publikoi pak kohë më parë një foto duke mbajtur në krahë Jonida Maliqin, ndërsa qëndronin mbi motor. “ZeroGravity ??”, shkroi aktori në përshkrimin e fotos domethënëse, që tregonte shumë për marrëdhënien e tyre.
Edhe këtë herë nuk vonoi këngëtarja me komentin e saj, ndërsa i shkroi: “To the MOON and back”. Në një intervistë, pyetjes nëse do të ketë dasmë së shpejti, Jonida iu përgjigj: “E para, çështja e dasmës është për t’u diskutuar. Është shumë e rëndësishme të përjetosh çdo gjë ashtu siç vjen. Kam frikë, me gjithë situatën që ka ndodhur në këtë periudhë, kam shumë frikë nga planet. Vetëm asaj i trembem dhe është e vetmja gjë që më ka bërë të reflektoj gjatë”.
Ndërsa pyetjes: “A beson te dashuria e vërtetë”, ajo iu përgjigj: “Gjithmonë kam besuar. Kam qenë nga ato vajzat që kam ëndërruar për fustanin e bardhë, kam ëndërruar për familjen perfekte. Jam rritur në një familje me shumë dashuri, familjarët më kanë ndihmuar për të vazhduar ëndrrën time që në fëmijëri. Për mua, një qenie pa dashuri, një qenie pa lumturi, pa vetëbesim, pa ndjeshmëri, ç’kuptim do të kishte? Është shumë e rëndësishme, dashuria të bën më të bukur, të bën njëri më të mirë, të bën njeri më frymëzues, më krijues, kështu që në të gjitha dimensionet e saj, mendoj që çdokush duhet të luftojë për të qenë i dashuruar dhe i realizuar”.
HISTORIA VIP QË U MBAJT FILLIMISHT SEKRET, SI NISI DHE U MBYLL “LOVE STORY” E JONIDËS ME ROMEON
Kjo “love story” showbizzi nisi me dashuri dhe u mbyll brenda vitit 2019, për t’u rikthyer në krahët e njëri-tjetrit më të dashuruar se kurrë në 2020, në mbyllje të të cilit edhe lidhja u mbyll.
Po si u zbulua historia e Jonida Maliqit dhe Romeo Veshajt, pasi u mbajt sekret për shumë kohë? Në 2019-ën, ish-aktori i “Al Pazar”, Romeo Veshaj, postoi në “Instagram” foton duke udhëtuar me një vajzë, që ia mbulonte fytyrën me emoji. Puzzle-i i fotos romantike u plotësua nga këngëtarja, e cila u shfaq me të njëjtin kostum në foton me të. Kjo lojë postimesh u pasua nga një tjetër foto më domethënëse e Romeos, ku pozonin të mbështetur në mur dhe shkruante “Mision i mundur 9”, shoqëruar me disa zemra të Jonidës.
Në fillim, çifti bëri një lojë të vërtetë me ndjekësit, për të zbuluar pak nga pak momente nga lidhja e tyre romantike. Jonida dhe Romeo po përfliteshin se ishin në një lidhje dashurie, jo vetëm për faktin se aktori i ”Al Pazar” ishte një mbështetje e madhe për Jonidën në “Eurosong”, por edhe se ishin parë shpeshherë bashkë në baret e Tiranës.
Disa ditë pas publikimit të lajmit, Jonida, me kthimin nga Tel Aviv ku përfaqësoi Shqipërinë në Festivalin Europian, u shpreh: “Jeta ime personale dua të mbetet e tillë”, duke dhënë shenjat e para të pranimit. Ndërsa Romeo konfirmimin e tij e bëri me foton që fliste sa një mijë fjalë. Ai vendosi të merrte vetë frenat e pranimit të lidhjes në publik, duke postuar një moment në makinë, gati për udhëtimin romantik në çift.
Pas deklarimit të divorcit nga partneri prej 17 vitesh, Maliqi hyri në një episod të ri në jetën e saj. Fjalët për fillimin e lidhjes me Romeo Veshajn filluan të qarkullonin gjatë muajit nëntor 2018. Gjithçka nisi kur Romeo kishte postuar një foto me një vajzë misterioze me flokë të zeza, për të cilën mediat aluduan se ajo vajza ishte pikërisht këngëtarja e famshme, Jonida Maliqi.
Më pas, portalet u përpoqën të vërtetonin këtë fakt duke gjetur lidhjen e ambienteve të njëjta të postimeve që bënin në profilet e tyre në “Instagram” si Jonida, ashtu dhe Romeo. Gjatë muajve në vazhdim, ata nuk e mohuan lajmin, por as folën publikisht për marrëdhënien e tyre, duke ia lënë kohës zbardhjen e së vërtetës.
Nuk vonoi dhe Romeo iu rikthye sërish zakonit të postimeve me Jonidën, si për t’i hedhur benzinë zjarrit e për ta vazhduar quizz-in me median për të zbuluar vajzën misterioze, me të cilën ai po shoqërohej. Më pas ata postonin shumë foto e video, duke u kthye në çiftin më simpatik e më të ndjekur në rrjetet sociale. E ndërkohë që Jonida ka deklaruar në emisionin e saj se ia vlen të duash veten pikësëpari, le të presim edhe deklaratën e Romeos, pas këtij Shën Valentini ndryshe.
/Panoramaplus.al