“Jepini fund histerisë, 95 % e të infektuarve janë asimptomatikë”
Virologu i njohur italian, profesori Giorgio Palù, beson se tamponimi masiv për Covid-19 është i panevojshëm, njëjtë siç janë edhe izolimet apo masat kufizuese, ai nuk ka nguruar ta quajë histeri atë që po ndodh në Itali, lidhur me pandeminë.
“Ka shumë alarm. Nuk ka dyshim se po përballemi me një valë të dytë të pandemisë, por qarkullimi i virusit nuk është ndalur asnjëherë, edhe nëse në korrik rastet dukej se ishin zhdukur, falë temperaturave të larta, ajrit të hapur, rrezeve ultraviolet që vrasin virusin. Pastaj ishte kthimi nga pushimet, rihapja e shumë aktiviteteve dhe mbi të gjitha kthimi në shkollë”,– tha profesoi në një intervistë për Corriere Della Sera.
Rezultati që të gjithë po shohin është rritja e rasteve. I pyetur nga gazetarët si mund të interpretohen këto të dhëna, virologu u përgjigj se shumica e personave që infektohen, janë asimptomatikë.
“Së pari, nga këto, 95 përqind nuk kanë simptoma dhe për këtë arsye nuk mund të përkufizohen si të sëmurë. Së dyti, është e sigurt që këta njerëz janë ‘infektuar’, domethënë kanë rënë në kontakt me virusin, por nuk është e sigurt nëse ata janë ‘ngjitës’, domethënë se mund të transmetojnë virusin te të tjerët. Ata mund ta bënin nëse kanë një ngarkesë të lartë virale, por për momentin me testet që kemi në dispozicion, nuk është e mundur të përcaktojmë nëse e shpërndajnë virusin” – thotë profesori i njohur.
Virologu italian e konsideron të panevojshëm tamponimin e njerëzve të cilët nuk kanë shfaqur simptoma, duke theksuar se është e pamundur që një person i cili nuk e ka virusin ta përcjellë atë.
“Për shkak se ata mund të kenë një ngarkesë të ulët virale, sepse mund të jenë bartës të një lloji më pak të rëndë të virusit ose sepse ata kanë vetëm fragmente gjenetike të virusit, të zbulueshme nga testi, por të paaftë të infektojnë njerëzit e tjerë“.
Ai bën thirrje që tamponimi të bëhet vetëm në raste kur ka një numër të madh të infektuarish në mjedise pune, i cili sqaron më tej se e vetmja shifër e rëndësishme është ajo e personave që gjenden nën kujdesin intesiv.
“Ajo që ka vërtet rëndësi është të dimë se sa njerëz mbërrijnë në kujdesin intensiv: është ky numër që jep dimensionin real të gjendjes së situatës. Në çdo rast, ky virus ka një vdekshmëri relativisht të ulët, mund të vrasë, por nuk është murtajë”.
Palù , ndryshe nga pjesa më e madhe e ekspertëve shëndetësore është kundër masave bllokuese, për të frenuar pandeminë dhe u bën thirrje të gjithëve ti japin fund histerisë.
“Unë jam kundër si qytetar sepse do të ishte vetëvrasje për ekonominë, si shkencëtar sepse do të penalizonte edukimin e të rinjve, të cilët janë e ardhmja jonë, dhe si mjek sepse do të nënkuptojë se njerëzit e sëmurë, që vuajnë nga sëmundje të tjera, veçanërisht nga tumoret, nuk do të kishin mundësi trajtimi.”