“Jam shumë i ri për t’u marrë vetëm me padel dhe nipërit”, Klop i mbyll derën Anglisë: Do ishte humbja më e madhe e prestigjit

Jurgen Klop vazhdon t’i qëndrojë besnik idesë për të bërë të paktën një vit pushim, pas largimit nga drejtimi i Liverpulit. Dhe kjo nuk do të ndryshojë as nga fakti se Anglia do të ishte gati t’i dorëzonte atij drejtimin e përfaqësueses nga e cila u largua Garet Sauthgejt. I pranishëm në një eveniment në Gjermani, Klop ka folur para gazetarëve duke përsëritur se nuk kishte ndër mend të kthehej tani shpejt.

“Në këtë moment nuk ka asgjë sa i përket punës, me klube apo përfaqësuese. Disa persona nuk më paskan dëgjuar duke thënë se dëshiroj një pushim, do të ishte humbja më e madhe e prestigjit në futbollin botëror nëse do të bëja përjashtim me përfaqësuesen angleze”, tha ai, por duke shpjeguar se kishte ndër mend të kthehej përsëri në aktivitete.

“Jam ende shumë i ri për t’iu kushtuar vetëm padelit dhe nipërve të mi. Të kthehem si trajner? Për momentin nuk e shoh si opsion, por ta shohim pas disa muajsh, gjithsesi dua të punoj në futboll dhe ndihmoj njerëzit me eksperiencën dhe kontaktet e mia. Të shohim se çfarë mund të ketë tjetër për mua, edhe pse për momentin kërkoj paqe dhe qetësi, po shijoj të tashmen, duke e shfrytëzuar 100%. Ishte momenti për të bërë një hap mënjanë”, tha Klop.

tpz.al