Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel së shpejti protagoniste në një film televiziv gjerman!

Ish-kancelaren gjermane Angela Merkel do ta shohim si një detektive në një film televiziv gjerman, i cili do të nisë transmetimet më 21 mars. Televizioni privat Rtl do të transmetojë “Miss Merkel – A criminal case in Uckermark”, protagoniste e së cilës është në mënyrë hipotetike Angela Merkel, e cila pas daljes në pension është bërë një hetuese e mprehtë e modelit të Agatha Christie’s Miss Marple. Në rolin e ish-kancelares është aktorja gjermane 69-vjeçare Katharina Thalbach.

Filmi televiziv është i bazuar në serinë e librave “Miss Merkel”, nga autori David Safier. Në tregimin e parë televiziv, personazhi i frymëzuar nga ish-kancelarja vendoset në rrethin Uckermark në Gjermaninë verilindore për të jetuar me burrin e saj dhe një qenin e quajtur Helmut. Duke qenë e mërzitur, detektivja Merkel do të fillojë të hetojë një vrasje misterioze.

David Safier, shkrimtari nga librat e të cilit është frymëzuar filmi, ka krijuar nga Angela Merkel, të cilën të gjithë e njohim, një lloj figure përrallore, një përzierje mes ish-kancelares dhe një pensionisteje, e cila shndërrohet në Miss Marple. Një veprim që për shumëkënd mund të konsiderohet i rrezikshëm, duke qenë se bëhet fjalë për gruan politikane më të rëndësishme dhe me ndikim në historinë gjermane.

Rikujtojmë, se Angela Merkel, e cila ishte në pushtet për 16 vjet, ka planifikuar të publikojë kujtimet e saj politike në vjeshtën e vitit 2024. 68 vjeçarja nuk kandidoi për rizgjedhje në Bundestag shtatorin e kaluar. Partia e saj konservatore humbi ndaj Social Demokratëve dhe ajo u pasua si kancelare nga Olaf Scholz.

Top Albania Radio