Ish-aktori i Portokallisë: Pas shumë hulumtimesh me veten dola në konkluzionin se unë i përkas seksit…

U identifikua si Vezirja e famshme e spektaklit të humorit “Portokalli”, por tashmë jashtë atij show, Alex Seitaj po bën bujë me interpretimin e plot 12 karaktereve femërorë sipas shenjave të horoskopit. I veshur si nuse para altarit, videot e aktorit shtatlartë janë shndërruar në virale në vetëm pak kohë, duke marrë vëmendje dhe shikueshmëri të lartë në rrjetet sociale. Për humorin që shkakton si djali nën petkun e femrës ku s’përputhet zëri me figurën, seksualitetin e tij dhe artin si terapia më e mirë për të hequr dorë nga vetëvrasja, Alex flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Pas shkëputjes nga “Portokalli”, e ke parë spektaklin në vazhdim dhe si të duken katër “vajzat” seksi nga pozitat e spektatorit që ke qenë më parë brenda show-t?
Çunat janë të shkëlqyer me personazhet e 4 vajzave. Kam pasur fatin të jem prezent në numrin e parë që ata kanë bërë si “4 lëneshat” dhe të gjithë e kuptuam që do të ishte një numër i suksesshëm. Gjithsesi, Vezirja është më seksi (qesh).

Alex-Seitaj-2

Ndërkohë, të shohim në disa episode ku me fustan të bardhë sjell nusen në versione të ndryshme, sipas përkatësisë së shenjave të Horoskopit. Si nisi ky projekt dhe e prisje që video e tua do të bëheshin virale?
Ishte një ribashkim me çunat e “ngop.tv.”. Video ishte absolutisht një krijim për kënaqësinë tonë. U frymëzuam nga një video braziliane dhe u munduam ta sillnim, duke e shqiptarizuar atë. Si çdo projekt që kam bërë, nuk e di aspak gjatë xhirimit, efektin që do të këtë video te publiku. Mesa duket, publiku e ka shijuar dhe kjo e ka bërë virale. Është gjithmonë bukur kur mendon se videoja ia arriti qëllimit, duke sjellë të qeshura dhe argëtim për audiencën.

Po përgatitesh të kthehesh në “Portokalli” dhe si do të jetë bashkëpunimi kësaj here?
Fatkeqësisht nuk më lejohet të flas shumë për këtë. Megjithatë, ajo që mund të them është se “Portokalli” është një nga programet më mikpritëse në televizionin shqiptar. Sigurisht, çdo material filtrohet në audicione, por të gjithë janë të mirëpritur ta provojnë. Altin Basha është shumë përkrahës i ideve të reja dhe duhet ta theksoj që është një ndër të parët që e ka përkrahur humorin tim, edhe atëherë kur për publikun konsiderohej si humor shumë “alien”.

Alex-Seitaj-3

Në atë show u bëre i njohur me rolin e Vezires. Nga kush u frymëzove për atë karakter femre?
Dashur padashur Vezirja është kthyer në një ikonë. Personazhi ka ndryshuar nga koha kur është krijuar. Ka marrë më shumë dimensione. Vezirja është bashkimi i “vjehrrës tipike të telenovelave” e “marinuar” me detaje shqiptare. Gjithsesi, më tepër se një femër, Vezirja është një karikaturë e ekzagjeruar femre. Një “look” i kuruar që kontrastohet me një zë të trashë. Ndryshe nga një aktor tjetër mashkull që luan rol femre dhe ka tendencën të hollojë zërin, unë kur luaj Veziren e trash më shumë zërin.

Të kemi parë disa herë që transformohesh në femra të karaktereve të ndryshme. Ç’të ka inspiruar për të përfaqësuar femrën si aktor humori?
Po kapem pikërisht me fundin e pyetjes. Kam eksperimentuar me humorin shumë vonë në karrierë. Historikisht, më kanë konsideruar si aktor dramatik. Kur luaj role komike meshkujsh, disa herë më kanë thënë që jam shumë real, madje aq real sa që audienca nuk e kap fare batutën. Në momentin që vesh petkun e femrës, automatikisht fjalët që dalin nga goja ndryshojnë, sepse nuk përputhet zëri me figurën dhe kjo besoj që sjell të qeshura. Pastaj, si aktor me pëlqen të luaj gjithçka, çdo rol pa dallim gjinie, moshe, etj.. Kjo është e bukura e profesionit tim, që limitet i caktoj unë.

Alex-Seitaj-4

E ke ndjerë veten ndonjëherë uniseks, pra, femra dhe mashkulli në një trup të vetëm?
Pavarësisht se shumë njerëz e mohojnë, njeriu gjithmonë ka biseda me veten dhe pyetje të këtij tipi. Unë jam një person jashtëzakonisht shumë i hapur dhe aspak diskriminues, duke filluar që nga vetja ime. Nuk do ta kisha problem të pranoja nëse do të ndihesha uniseks apo edhe nëse nuk do ta indentifikoja veten në asnjë nga gjinitë bazike. Megjithatë, mbas shumë hulumtimesh me veten dola në konkluzionin e thjeshtë, që unë e identifikoj veten si mashkull.

Për ty në këtë botë ia vlen më shumë të jesh mashkull apo femër?
Mendoj se në këtë botë ia vlen të jesh rehat me veten. E theksoj nuk është zgjedhje. Njeriu duhet të jete komod me gjininë dhe tërheqjet që ka. Gjithmonë e nis nga vetja duke marrë hipoteza. Dhe hipoteza ime është: Nëse nesër do të zgjohesha në një trup femre do të bëja çdo gjë të mundur për t’u kthyer në mashkull. Sepse kështu e identifikoj veten. Dhe kjo gjë më bën të mos gjykoj personat që nuk ndihen komodë me seksin e tyre.

Alex-Seitaj-1

Mund të themi se kjo puna e aktorit të ka shërbyer si terapi për të kaluar ato momentet e errëta të dëshpërimit, sa të mendoje edhe vetëvrasjen?
Padyshim. Arti është një terapi e përkryer për depresionin. Një nga shkaqet kryesore të depresionit është edhe mungesa e besimit te vetja. Kam qenë një nga personat më të turpshëm dhe askush nuk e besonte që mund të bëhesha aktor. Atje kuptova që të jesh shakaxhiu i tavolinës dhe të jesh aktor janë gjëra shumë të ndryshme. Gjithsesi ,tani që ajo kohë e errët është pas meje, dua që me personazhet, punën dhe influencën time t’u tregoj të gjithë atyre që po luftojnë beteja me ankthin apo depresionin, që lumturia është një e drejtë dhe jo një privilegj.

Po me pasionin tënd për muzikën ç’po ndodh, ku do të të shohim të rikthyer?
Tashmë, pasionin për muzikën ma ka zaptuar Vezirja. Mesa duket, ajo po bën më shumë hajër me muzikën sesa unë. Kemi shkruar dhe po xhirojmë klipin e ri të Vezires. Është një punë gjigande që shpresojmë ta ndajmë me publikun gjatë muajit mars.

Duke qenë se je shumë i gjatë, cilat janë avantazhet dhe disavantazhet në shtrat të një femre apo mashkulli shtatlartë?
Nuk do të flisja për shtratin, pasi fatmirësisht jetojmë në një kohë ku ekzistojnë krevate me porosi. Por, gjithsesi, në vende të tjera të tipit autobus apo avion nuk është dhe aq komode. Jam një person që nuk kam mundur dot të fle asnjëherë në mjete transporti, edhe pse kam qenë shumë i lodhur. U trembem udhëtimeve të gjata me avion, sepse e di që nuk do të jenë aspak komode për mua. Këto janë halle tipike të njerëzve të gjatë./Panorama Plus