Ilda Beljeri shau rivalet e saj në gazetarinë sportive, nuk vonoi reagimi i hidhur i Hygerta Sakos
Gazetarja e sportit Ilda Bejleri ishte e ftuar këtë javë në emisionin e Rudina Magjistarit, ku ka folur për profesionin dhe koleget e tjera sportive. Ndër të tjera, Bejleri foli për rivalet e saj në këtë profil gazetarie, përkatësisht për Hygerta Sakon që ka emisionin e saj sportiv në TVSH, dhe për Enkeleida Zekon që drejton “Fair Play” në “News 24”, duke e cilësuar modelin e tyre të gazetarisë si të vjetër. “Përfaqësojnë një model të vjetër gazetarie dhe aspak frymëzim për mua”, u shpreh Ilda, e cila e arsyetoi mendimin e saj me idenë se aty ku ka punuar është mësuar me një tjetër model, dhe se nga dy personazhet në fjalë nuk mund të mësojë gjëra të reja. Pas kësaj deklarate të prezantueses sportive Ilda Bejleri rreth “modelit të vjetër të gazetarisë”, në një deklaratë për “Panorama Sport”, prezantuesja e TVSH-së i është përgjigjur hidhur Bejlerit. Për Sakon nuk mjafton të jesh seksi dhe në faqet e fundit të gazetave sportive, në krahasim me produktet e saj që janë gjithnjë në faqen e parë. “Të them të drejtën nuk e ndoqa, por më informuan miqtë. Nuk kam kohë të merrem me të tilla deklarata sepse jam shumë e zënë me “Përtej futbollit”, emision që fillon së shpejti dhe që u kopjua keq nga koleget. Por, unë mund të them që vazhdoj me këtë “stilin e vjetër” të gazetarisë me të cilin prodhoj lajme që zënë faqet e para. Nëse Ilda mendon se të qenit seksi është stil i ri i uroj suksese në rrugën e zgjedhur prej saj. Dhe së fundmi dua të them që Ilda s’kishte lindur akoma kur mua më emociononte Maradona, Mateus dhe Van basten” përfundon Sako. Ndërkohë një tjetër gazetare ka reaguar lidhur me komentet e Ildës. Bëhet fjalë për Aida Tucin e cila përmes një statusi në facebook ka thënë se “Të jesh velinë e gazetarisë nuk do të thotë të jesh gazetare. Për më tepër, po aq idiote më tingëllon kjo ndasia: gazetari moderne dhe gazetari e vjetër. Pika gazetarisë tënde dhe mua bashkë me ty!”- shkruante Tuci.