I bëri krenarë shqiptarët me arritjen e saj, por Majlinda Kelmendi nxjerr në shitje medaljen e artë. Ja arsyeja e veçantë
Xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi ka treguar së fundi së është një njeri i madh, jo vetëm në tapet, por edhe jashtë tij. Ajo ka vendosur të bëjë një veprim të madh së fundmi, për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve të sëmurë.
Kelmendi ka vendosur të nxjerrë në shitje medaljen e artë që fitoi në Lojërat Olimpike të Rios në Brazil, për të mbledhur sa më shumë të ardhura dhe për të ndihmuar fëmijët e sëmurë.
“Unë kam dëshirë që secili fëmijë të ketë shansin e tij në jetë. Për këtë arsye unë kam vendosur të nxjerr në shitje Medaljen e Artë që kam fituar në Lojërat Olimpike të Rios në Brazil. Shitja e saj do të sjellë të ardhura të mjaftueshme për ilaçe, të cilat do t’i vijnë në ndihmë fëmijëve kosovarë që janë të sëmurë me kancer.
Ju ftoj të gjithëve që të bëheni si unë dhe të dhuroni sadopak për organizatën ‘Care for Kosova Kids’, në mënyrë që të gjithë të kenë një shans në këtë jetë. Shuma që ju do të dhuroni do të dyfishohet nga Banka Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim. Fëmijët kosovarë do të shërohen falë ndihmës tuaj”, shprehet Kelmendi.
PANORAMASPORT.AL