I alkolizuar, ish-futbollisti i Juventus në gjendje të rëndë shëndetësore
Probleme të rënda shëndetësore për Fabián O’Neill, që prej kohësh lufton një betejë kundër alkolizmit. 46 vjecari uruguajan, që ka luajtur edhe për Juventus në karrierë, ka dalë nga klinika ku ishte shtruar të premten e kaluar për cirozë hepatike. ish-futbollisti i kombëtares ‘Celeste’ do të vazhdojë rekuperimin në shtëpinë e tij në Paso de los Toros. Por edhe pse O’Neill ka reaguar shumë mirë ndaj trajtimit intensiv, shkruan shtypi lokal, situata e tij mbetet shumë e komplikuar.
Shumë njerëz janë afruar me ish-lojtarin në orët e fundit për ta ndihmuar. Mes tyre edhe ish-shoku i kombëtares Richard Morales, që i ka ofruar mundësinë për të kuruar varësinë e tij. Nuk është hera e parë që O’Neill shtrohet në spital, situatë që i ka ndodhur edhe në 2016.
‘El Mago’ e nisi karrierën e tij me Nacional de Montevideo. Në 1996 u nis për në Itali ku luajti me Cagliari, Juventus e Perugia para se të kthehej në atdhe, gjithnjë tek Nacional. Në 2003, një vit pasi luajti në Botërorin 2002 me kombëtaren uruguajane, vendosi të tërhiqet.