Humbën jetën tragjikisht në SHBA, çifti shqiptar përcillen sot për në banesën e fundit

Florind Belliu dhe Ornela Shehi do të përcillen ditën e sotme për në banesën e fundit.

Çifti humbi jetën tragjikisht pasi ra nga kati i gjashtë i pallatit ku jetonin, duke lënë pas dy fëmijë.

Sot , shqiptarët e Amerikës përcjellin në banesën e përjetshme Ornela Shehin dhe Florind Belliu

“Më 10 Gusht 2022 nga ora 2 – 9 Pm në adresën e Funeralit: Farenga Brothers Funeral Home 920 Allerton Ave Bronx, NY 10469 (718) 654-0500, komuniteti shqiptar në Neë York e më gjërë do të përcjellë për në banesën e përjetshme bashkëshortët Ornela Shehi dhe Florind Belliu.
Bashkëshortët u ndanë nga jeta tragjikisht duke lënë pas 2 fëmijë të mitur, shumë dhimbje, trishtim e lot te familjarët, miqtë e çdo shqiptar që u trondit thellë nga vdekja e tyre.
Largimi për në amshim i dy të rinjve me shumë ëndrra në tokën e premtuar, shkaktoi një tragjedi të vërtetë për rrethanat, pasojat dhe misterin që morën me vete në qiell.
Federata Vatra, Gazeta Dielli e mbarë komuniteti shqiptar në Amerikë shpreh ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve e miqve të Ornelës e Florindit.
Shpirti i tyre pushoftë në paqen e përjetshme e Zoti i forcoftë familjen.
Paçin fëmijët me jetë të gjatë. U kujtofshin e mos u harrofshin kurrë përjetë”, njofton Gazeta Dielli.

Ende nuk ka një version zyrtar si ndodhi ngjarja e rëndë, por dyshimet janë se aktori shqiptar vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe mund të ketë shtyrë së pari bashkëshorten shtatzënë dhe më pas të jetë hedhur nga lartësia.

Motra e Ornelës ka treguar se Belliu kishte qenë më parë i shtruar në klinikë psikiatrie, por ajo e kishte nxjerrë nga aty, pavarësisht paralajmërimit të mjekëve për shëndetin e tij.

“E kam shumë të vështirë të flas në këto momente, pasi unë motra e Ornelës dhe e gjithë familja jonë jemi tejet të pikëlluar nga humbja e parakohshme e motrës sonë të dashur, por nuk mund të rri pa i shkruar dy fjalë për motrën time, për engjëllin tonë, që e donte aq shumë jetën, që rrezatonte mirësi dhe e donte i gjithë komuniteti në zonën ku jetonte në Nju Jork. Vë re me keqardhje që të gjithë portalet janë mbushur me fjalë të ndjera për humbjen e jetës së Florind Belliut, personit që vrau jo vetëm motrën tonë, por edhe fëmijën që do të lindte pas disa muajsh dhe asnjë fjalë keqardhjeje nuk kanë denjuar të shkruajnë për motrën tonë, e cila punonte dhe rriste pothuajse e vetme dy fëmijë të mitur, pasi ai që i mori jetën në mënyrën më makabre kishte kohë, vite që vuante nga çrregullime mendore, kishte kohë që ia kishte bërë jetën të vështirë motrës sonë, por Ornela ishte aq e mirë dhe e dhimbsur saqë shkonte e vizitonte çdo ditë në klinikën psikiatrike ku ishte i izoluar atë që do t’i merrte jetën në mënyrën më kriminale…i dërgonte ushqim siç dëshironte Flori, saqë punonjësit e klinikës e kishin pagëzuar Ornelën ‘engjëll’, pasi ishte e vetmja që shkonte çdo ditë në klinikë…Mjekët e klinikës në Nju Jork e kishin paralajmëruar Ornelën që bashkëshorti i saj kishte ende probleme…”, shkruante ajo në një postim në rrjetet sociale. /abcnews.al