Habit Kastriot Çipi: Dikush t’i thotë Ronelës që nuk është as pjeshkë

Ronela Hajati këndoi e para mbrëmë në natën e parë gjysmëfinale të Eurovizion 2022, por nuk arriti dot të kualifikohej për finalen e madhe të 14 maji.

Opinionet mbi performancën e këngëtares shqiptare Ronela Hajati në Eurovizion kanë qenë të shumta nga njerëz të botës së artit në vend dhe jo vetëm.

Në lidhje me këtë ka ardhur një reagim edhe nga regjizori i njohur shqiptar Kastriot Çipi, i cili me thënë të drejtën e ka tepruar pak me gjuhën e përdorur.

Çipi shkruan se ajo nuk është këngëtare dhe është e vetëdijshme për këtë. Pjeshkat, thotë ai, i marrin duartrokitjet me trup dhe lëvizje, por Ronelën nuk e konsideron as pjeshkë…

“Që nuk është këngëtare, ajo e di edhe vetë. Këngëtarët i marrin duatrokitjet me zë. Me trup e me lëvizje i marrin pjeshkat. Por dikush duhet t’i thotë se nuk është as pjeshkë, e gjora. Shumë shumë, mund ta quash shalqi”, shkruan Çipi në rrjetet e tij sociale.

Njerëz të thjeshtë ose më saktë ndjekës të shumë në rrjetet sociale mund t’i kuptojmë për gjuhën e përdorur, por një figure publike dhe një regjizori sikur nuk i shkon të përdorë këtë lloj gjuhe ndaj një femre. Si thoni?!