Haaland nën stres: “Nëse ke ankth nuk je vetëm, kujdesuni për mendjen tuaj”

Një mesazh i thellë e ndryshe nga të tjerët. Erling Braut Haaland, sulmuesi adoleshent i Borussia Dortmund, që ka shkëlqyer me golat e tij këtë sezon të trazuar futbollistik, ka zgjedhur një tjetër mënyrë për tiu drejtuar ndjekësve të tij në rrjetet sociale, duke pranuar në një farë mënyrë se kjo situatë e pazakontë e ka futur nën stres: “Kjo pandemi po na vendos në shumë më tepër stres e paqartësi se normalisht” ka shkruar. “Nëse në këto ditë ndihesh me ankth, nuk je vetëm. Përvec se duhet të kujdesemi për trupat tanë, duhet ta bëjmë edhe për mendjen tonë”.

Ky është mendimi, shprehur përmes Instagram, shoqëruar nga një foto e tij që e tregon ulur në fushë, në pozë medituese, një nga festimet e tij klasike: “Meditimi është dicka serioze – thekson Haaland – e mund të na ndihmojë të rregullojmë emocionet tona në mënyrë që të mund të bëjmë më shumë kujdes për të tjerët e të sillemi në mënyrë më altruiste. Kemi nevojë të ndihemi një komunitet”.