Gju më gju me Dolores O’riordan për ta intervistuar, Ledion Liço rrëfen emocionet e 10 viteve më parë

Lajmi i largimit nga jeta para kohe i një prej yjeve të muzikës ndërkombëtare, Dolores O’riordan preku zemrat e shumë fansave nga e gjithë bota. Për shqiptarët në vitin 2007, këngëtarja e madhe këndoi në stadiumin “Selman Stermasi” në Tiranë, ku të pranishmit në stadium të asaj nate kanë treguar se ka qenë vërtet e paharrueshme. Ky ka qenë dhe viti kur moderatori i njohur i “Top Channel” Ledion Liço, në atë kohë moderator i “Top Select”, i bëri një intervistë në televizion artistes Dolores O’riordan. Këtë e ka zbuluar vetë Ledioni me një postim në Instastory ndërsa shkruante: “Dolores O’riordan, ke për të qenë me mua gjithmonë. Të të intervistoja ty ishte aq emocionuese sa gjithë kohës kam belbëzuar teksa flisja”, tregoi Ledioni duke rrëfyer këtë moment special të karrierës së tij në televizion. Lajmi i hidhur i ndarjes nga jeta e këngëtares së njohur, Dolores O’Riordan, njëkohësisht edhe lidere e grupit “Cranberriers” pushtoi gjithë mediat. Këngëtarja me një karrierë të suksesshme dhe që i rezistoi ndryshimeve radikale në muzikë, sa i takon jetës private ka përjetuar ulje-ngritje. Këngëtarja kishte treguar se ishte abuzuar seksualisht që në moshën 8 vjeçare, dhe kjo e kishte tronditur mjaftueshëm për t’i lënë pasoja në shëndetin mendor. Ndërsa kohët e fundit O’Riordan vuante nga depresioni dhe çrregullimet bipolare, edhe pse ardhja në jetë e vajzës e kishte ndihmuar të kalonte luhatjet emocionale. Më vonë jeta e saj vazhdoi me drama, që e rënduan gjendjen e saj psikologjike. Në 2011-ën, Dolores humbi të atin, ndërsa në 2014-ën u divorcua nga bashkëshorti dhe menaxheri i saj, Burton. Herë pas here ajo ka bërë tentative vetvrasjeje, para se të gjendej e vdekur në hotelin ku ishte akomoduar.