Gjërat që u zbuluan për variantin e ri të Covid-19

Pak ditë pasi nisi vaksinimi kundër Covid-19 në disa vende të botës, një variant i ri i tij, i cili sipas ekspertëve të shëndetësisë është më infektues, duket se ka ngritur një alarm të ri.

Varianti i ri i koronavirusit, ose më saktësisht mutacioni i ri i tij, është zbuluar fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar, vend i cili është detyruar të vendosë masa të rrepta izolim, duke mos zbatuar zbutjen e rregullave që ishte premtuar për festat e fundvitit, ndërsa shumë vende të tjera i kanë ndaluar fluturimet prej atje.

Varianti i ri i Covid-19 rastin e parë e ka shënuar në shtator sipas mediave britanike. Në muajin nëntor, rreth 1/4 e rasteve në Londër kanë qenë të këtij varianti; në mes të dhjetorit, gati 2/3. Kryeministri britanik dhe Ministri i Shëndetësisë në ishull kanë bërë me dije se varianti i ri mund të jetë deri në 70% më infektues, por nuk ndikon në vdekshmërinë që shkakton virusi. Po ashtu është paralajmëruar se kjo mund ta rrisë me 0.4 vlerën R – një e dhënë që tregon nëse epidemia rritet ose zvogëlohet.

Varianti i ri është gjendur në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, përveç Irlandës së Veriut, por është më i përqendruar në Londër dhe në Anglinë Lindore. Ndërkohë të dhënat nga “Nextstrain” – një projekt që monitoron kodet gjenetike të mostrave virale në të gjithë botën – tregojnë se rastet e variantit të ri të koronavirusit kanë arritur në Danimarkë dhe në Australi nga Mbretëria e Bashkuar. Edhe Holanda ka regjistruar raste të tilla, ndërsa dje u shënua dhe rasti i parë në Itali.

Çfarë dimë për variantin e ri?

Të gjitha viruset dhe koronaviruset në fakt bëjnë mutacione gjatë gjithë kohës. Covid-19 që është zbuluar për herë të parë në Vuhan të Kinës më shumë se 1 vit më parë, nuk është i njëjti që qarkullon tani në të gjithë botën. Mutacioni D614Gështë shfaqur në Evropë në muajin shkurt dhe është bërë forma mbizotëruese e virusit. Një tjetër variant i quajtur A222V është përhapur po ashtu në Evropë dhe është lidhur me pushimet verore të njerëzve në Spanjë.

Në një raport të publikuar dje, qeveria britanika tha se ka “besim të moderuar” që varianti i ri përhapet më shpejt se variantet e tjera. Gjtihsesi ekspertët thonë se të dhënat janë paraprake dhe se bazohen në modelim.

“Edhe pse rezultatet varen nga cilësia dhe sasia e të dhënave, ky duket të jetë një variant i rëndësishëm, bazuar në të dhëna gjenetike. Është potencialisht më i transmetueshëm, por ne nuk e dimë sa dhe nuk kemi siguri absolute”- shprehet një grup këshillues për shëndetësinë pranë qeverisë në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa profesori i virologjisë në Kolegjin Mbretëror të Londrës, Stuart Neil tha për “The Guardian” se “Të dhënat e grumbulluara deri më tani, bëjnë të kuptojnë se varianti është më infektues. Por nuk ka konfirmim në laborator.”

Nga ka ardhur varianti i ri?

Varianti ka krijuar mutacion të madh dhe shpjegimi më i mundshëm është se ai është shfaqur te ndonjë pacient me sistem të dobësuar imunitar, që nuk ka qenë në gjendje ta mposhtë virusin. Në vend të kësaj, trupi i tij është bërë terren shumëzimi për virusin dhe ai ka krijuar mutacion.

A e bën infeksionin më vdekjeprurës?

Nuk ka asnjë provë që sugjeron se po, edhe pse kjo do duhet të monitorohet. Megjithatë, rritja e transmetimit mund të jetë e mjaftueshme për të shkaktuar probleme për spitalet. Nëse varianti i ri do të thotë që më shumë njerëz infektohen për kohë më të shkurtër, kjo do të çojë në më shumë njerëz që kanë nevojë për trajtim spitalor.

A do të funksionojë vaksina kundër variantit të ri?

Me siguri që po, ose të paktën kështu besohet. Të tria vaksinat kryesore tani, “Pfizer”, “Moderna” dhe ajo e Oxford, zhvillojnë përgjigje imune kundër koronavirusit. Vaksinat e trajnojnë sistemin imunitar për të sulmuar disa pjesë të ndryshme të virusit. Edhe pse një pjesë ka krijuar mutacion, vaksinat funksionojnë.

“Por, nëse e lëmë të shtojë më shumë mutacione, atëherë ju filloni të shqetësoheni”,- ka thënë për “BBC” profesorin Ravi Gupta nga Universiteti i Cambridge.

Po OBSH cfarë thotë?

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se është në kontakt të afërt me Mbretërinë e Bashkuar, në lidhje me variantin e ri të koronavirusit.

Ata do të vazhdojnë t’i ndajnë informacionet dhe rezultatet e analizave dhe hulumtimeve të vazhdueshme. Ne do të informojmë publikun dhe vendet anëtare kur të mësojmë më shumë dhe të kemi një pasqyrë më të qartë të karakteristikave të këtij varianti. Ndërkohë ne i këshillojmë njerëzit që t’i marrin të gjitha masat mbrojtëse për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe të sillen në përputhje me udhëzimet e autoriteteve kombëtare”- shprehet OBSH.

Ndalimi i fluturimeve nga Mbretëria e Bashkuar

Vendet evropiane kanë vendosur ndalesa udhëtimi ndaj Mbretërisë së Bashkuar, për shkak të përhapjes së variantit të ri të koronavirusit. Irlanda, Gjermania, Franca, Italia, Holanda dhe Belgjika i kanë ndërprerë fluturimet. Masat variojnë dhe aktualisht janë afatshkurtra, në pritje të zhvillmit të situatës.

/News31

Burimi: REL

Kur virusi e ndryshon metodën e sulmit, ne duhet ta ndryshojmë metodën e mbrojtjes”, tha kryeministri britanik, Boris Johnson, gjatë fundjavës.